Rezultatet preliminare: Prinë LVV me 41.99 për qind

Prishtinë | 09 Shk 2025 | 23:57 | Nga Ekonomia Online

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) prin për nga numri i votave sipas rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) me 41.99 për qind të votave.

Partia e dytë me më së shumti vota deri më tani është renditur Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 22.68 për qind; partia e tretë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ME 17.90 për qind; partia e katërt AAK-Nisma me 7.56 për qind; Lista Serbe me 7.56 për qind; Koalicioni për Familje me 2.29 për qind.

Deri më tani janë procesuar 73.04 për qind e vendvotimeve, apo 1,850 nga 2,533 vendvotime.

Kandidati i Vetëvendosjes për kryeministër, Albin Kurti ka thënë se do ta themeloj Qeverinë Kurti III me koalicionin e tyre me Listën Guxo dhe Alternativa.

“Koalicioni ynë fitues do ta themelojë qeverinë e re, Kurti 3 dhe do të vazhdojmë punët e mira”, tha ai për media.

Kurti tha se nuk ka pasur incidente dhe gjithçka ka shkuar sipas ligjit dhe rregullave, duke falenderuar policinë dhe organet në përgjithësi.

“E kanë dëshmuar qytetarët rezistencën e dytë përkundër një lufte hibride e oligarkët, sidomos njëri prej tyre, kanë shpenzuar pa hesap dhe kanë kërcënuar punëtorët dhe përkundër të gjithave – populli fitoi, fitoi LVV dhe subjekti që do ta formojë qeverinë. Të gjithë e kanë të qartë se ata që janë në vendin e dytë dhe te tretë edhe po të bëhen bashkë nuk mund të bëhen sa LVV”, tha Kurti te objekti i LVV-së.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka nisur publikimin e rezultateve preliminare të zgjedhjeve parlamentare të së dielës 09.02.2025.

Të ngjashme