Riinvest shënon 30-vjetorin, drejtori Hashani thekson nevojën për aktivizimin e burimeve të rritjes ekonomike

Prishtinë | 15 Maj 2025 | 15:15 | Nga Ekonomia Online

Instituti Riinvest mbajti Konferencën jubilare me rastin e 30-vjetorit të themelimit me temën “Aktivizimi i burimeve të rritjes ekonomike”, duke synuar të nxisë diskutime për përshpejtimin e zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe përmirësimin e politikave publike, raporton Ekonomia Online.

Drejtori ekzekutiv i Riinvestit, Alban Hashani, theksoi rëndësinë e kësaj konference për të nxitur ide dhe rekomandime konkrete në funksion të zhvillimit ekonomik.

“Konferenca e sotme jubilare titullohet “Aktivizimi i burimeve të rritjes ekonomike”, që ka për qëllim rritjen e burimeve ekonomike dhe synon të nxisë diskutimet në lidhje me mundësinë për përshpejtimin e rritjes ekonomike në Kosovës. Kjo konferencë mundëson të krijojë një opinion, shkëmbim idesh dhe për të ofruar rekomandimet që të përmirësojë politika publike”, tha drejtori, Hashani.

Ai paraqiti një pasqyrë historike të rrugëtimit ekonomik të vendit, duke theksuar sfidat strukturore dhe potencialin për rritje.

“Do të përpiqem të jem i shkurtër për të paraqitur thelbësisht një përmbledhje të disa prej punimeve kërkimore që Riinvest ka prodhuar, veçanërisht gjatë disa viteve të fundit, por edhe duke u mbështetur në të dhëna të tjera të disponueshme, për të folur rreth rrugëtimit ekonomik të Kosovës dhe për të ndihmuar në vendosjen e një konteksti për diskutimet në panel. Duke u kthyer pas në kontekstin historik, rrugëtimi i Kosovës është karakterizuar nga sfida të mëdha dhe deri në fund të viteve 1950 të shekullit të kaluar, Kosova përjetoi transformime shumë të kufizuara ekonomike. Më pas, në periudhën nga vitet 1960 deri më 1988, u regjistrua një periudhë rritjeje, e nxitur kryesisht nga reformat ekonomike dhe kushtetuese në Jugosllavi, kur Kosova konsolidoi autonominë e saj të gjerë territoriale dhe politike. Kjo u reflektua në zhvillimin e infrastrukturës fizike dhe sociale, industrializimin dhe përmirësimin e përgjithshëm të strukturës shoqërore. Megjithatë, në fillim të shpërbërjes së Federatës, PBB-ja për kokë banori në Kosovë ishte më pak se një e treta e mesatares së Federatës. Vitet 1990 u karakterizuan nga pengesa të rënda. Siç dihet, pavarësia institucionale dhe autonomia e Kosovës u shfuqizua me forcë nga regjimi serb dhe kjo periudhë u shënua nga një deindustrializim i thellë dhe pasojat e rënda të luftës”, shtoi Hashani.

Anu Prattipati nga Ambasada e SHBA-së vlerësoi rolin 30-vjeçar të Riinvestit në fuqizimin e demokracisë dhe sektorit privat në Kosovë, duke përmendur edhe partneritetin e hershëm me CIPE në Washington D.C.

“Në emër të Ambasadës së SHBA-së dua të shprehë urimet tona më të përzemërta për këtë përvjetor të jashtëzakonshëm. Për tri dekada, Riinvest ka qenë pionier në kërkime socio-ekonomike, analizë të politikave dhe debat publik në Kosovë. Puna juaj ka ndihmuar vendimmarrësit, ka fuqizuar shoqërinë civile dhe ka kontribuar ndjeshëm në zhvillimin demokratik dhe ekonomik të Kosovës. Që nga vitet tuaja të para, duke filluar me partneritetin tuaj të parë me Qendrën për Ndërmarrje Private Ndërkombëtare me bazë në Washington, D.C., Riinvest ka hedhur themelet për politika të bazuara në të dhëna dhe për avokim të fuqishëm të sektorit privat në Kosovë.

Ai bashkëpunim i hershëm nuk ishte vetëm një moment kritik për Institutin, por edhe një kapitull i rëndësishëm në miqësinë e vazhdueshme mes popullit të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara. Sot, publikimet tuaja rigoroze mbi çështje që variojnë nga punësimi dhe qeverisja koorporative te energjia, transparenca dhe remitancat e diasporës, përdoren nga institucionet qeveritare, organizatat ndërkombëtare dhe shoqatat e biznesit”, theksoi Parttipati.

AnnaCarin Platon nga Zyra e BE-së theksoi kontributin e Riinvestit në debatet socio-ekonomike dhe projektet evropiane si Horizon Europe – Policy Answers.

“Dua gjithashtu t’ju përgëzoj për të gjitha arritjet tuaja deri më tani dhe për kontributet që Riinvest ka dhënë ndër vite. Në këtë dokumentar interesant pamë se sa të rëndësishëm keni qenë për zhvillimin e Kosovës. Por sot ju po kontribuoni gjithashtu në mënyrë aktive në debatin konstruktiv për zhvillimet dhe sfidat socio-ekonomike në Kosovë. Siç u përmend shkurtimisht edhe në dokumentar, ju keni zbatuar me sukses projektin Horizon Europe – Policy Answers, i cili synon të fuqizojë komunitetin kërkimor dhe më gjerë të ofrojë mbështetje për autoritetet kosovare në hartimin dhe zbatimin e politikave të kërkimit dhe industrisë. Sot është më se e qartë, në këtë ambient politik dhe ekonomik të pasigurt, në të cilin po operojmë, sa e rëndësishme është që ekonomistët tanë të zhvillojnë qëndrueshmëri dhe qëndrueshmëri afatgjatë. Kosova ka potencial. Ajo ka treguar qëndrueshmëri në vitet e fundit, pavarësisht nga e kaluara shumë komplekse. Rritja ekonomike ka qenë e qëndrueshme mbi 4% në vit”, tha Platon.

Ajo nënvizoi nevojën për strategji të qëndrueshme për kapitalin njerëzor dhe zhvillimin e tregut të punës.

“Megjithatë, Kosova ka nisur nga një nivel i ulët dhe ende përballet me kompleksitetin dhe sfidat e së kaluarës. Sfidat strukturore mbeten për t’u adresuar, ndoshta më urgjente se kurrë më parë. Investimi në kapitalin njerëzor dhe reformat në arsim mbeten tejet të nevojshme. Mbështetja për kërkimin dhe inovacionin në biznes gjithashtu është shumë e rëndësishme. Ne kemi parë disa shembuj frymëzues në Kosovë. Mendoj se është e domosdoshme të bashkohemi dhe të hartojmë së bashku një strategji kombëtare afatgjatë për të zhvilluar potencialin dhe konkurrueshmërinë e Kosovës. Duhet të adresojmë normat e larta të pasivitetit në tregun e punës në Kosovë”, theksoi Platon.

Bashkëthemeluesi i Riinvestit, Muhamet Mustafa, foli për sfidat e tranzicionit të zgjatur ekonomik në Kosovë dhe theksoi nevojën për një model zhvillimi, që do të përshpejtonte integrimin ekonomik në BE.

“Problemi i Kosovës është që për një kohë të gjatë ka ngelur në tranzicion dhe ka probleme që të ndërtojë një model, i cili do të përballonte nevojat shumë të mëdha të Kosovës për të ngritur nivelin e rritjes ekonomike. Në raportin që e keni marrë, ne jemi përpjekur që të japim një pasqyrë të këtij problemi dhe t’i ndriçojmë disa aspekte, duke pasur në fokus se si Kosova të ketë një rritje në mënyrë që të konvergjojmë më me sukses drejt Unionin Ekonomik Evropian”, tha Mustafa.

Të ngjashme