Rreth 20 për qind e audituesve janë të palicencuar, mungojnë profilet përkatëse

Prishtinë | 24 Gus 2020 | 18:44 | Nga Ekonomia Online

Rreth 20 për qind e audituesve të brendshëm të institucioneve publike në Shqipëri janë të palicencuar, ndërkohë që problem mbetet mungesa e specialistëve me profilin që i përshtatet aktivitetit përkatës. Një raport i Ministrisë së Financave nxjerr në pah se në gjithë administratën publike, 344  persona në detyrë janë të certifikuar si “Auditues të brendshëm në sektorin publik” ndërkohë  84 të tjerë   nuk e zotërojnë këtë certifikate.

Pjesa më e madhe e të punësuarve të pa certifikuar si auditues të brendshëm i përkasin njësive të vetëqeverisjes vendore 44 punonjës, shoqërive aksionere 16 punonjës dhe pjesa tjetër ministrive të linjës 2 punonjës, në institucionet qendrore 6 punonjës, në institucionet e pavarura 6 punonjës, në universitetet 5 punonjës dhe  qendrat spitalore 5 punonjës.

Konstatohet se kjo mangësi vjen si rezultat i disa faktorëve të tillë si vështirësi në gjetjen e punonjësve të kualifikuar në zonat urbane dhe rurale (rasti i bashkive) apo kuadër ligjor kompleks , siç është rasti i shoqërive aksionere publike, i cili lë shkak për keqinterpretime, shkruan “scantv”. Problem tjetër që zbardh raporti është se nga viti në vit, vihet re një trend në rritje e audituesve të brendshëm me profesion bazë në shkencat juridike, nga 50 juristë të punësuar në vitin 2018 në 60 juristë në vitin 2019.

Ndërkohë, që shumë institucione kanë nevojë për auditë të specializuar sipas profileve të caktuara. Nevoja për këtë profilizim të audituesve të brendshëm lidhet me fushat objekt i auditimit, të cilat në sektorin publik në disa raste kërkojnë specializim të veçantë . Kjo vërehet në : NJAB e Ministrisë së Mbrojtjes që ka në përbërje oficer logjistike, NJAB e Ministrisë së Mjedisit që ka në përbërje inxhinier pyjesh, NJAB e Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor që në përbërje mjekë dhe farmacistë, apo NJAB në Operatorin e Sistemit të Transmetimit dhe Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike që kanë në përbërje inxhinier elektrik.

Të ngjashme