Rreth 850 qytetarë janë lajmëruar në ambasadat që Kosova ka në botë, të cilët kanë bërë kërkesë që të rikthehen.
Derisa Kosova po vazhdon të sfidohet nga menaxhimi i situatës së shkaktuar nga shfaqja e koronavirusit të ri, një numër i madh i shtetasve të Kosovës që kanë mbetur nëpër vende të ndryshme të botës, kanë kërkuar të kthehen në Kosovë.
Vetëm të premten, rreth 180 kosovarë të kthyer nga Gjermania do të vendosën në Qendrën për Studentë në Prishtinë, e cila është shndërruar në karantinë me kërkesë të Qeverisë së Kosovës.
Alban Zogaj, shef i kabinetit të Ministrit të Transportit, thotë se institucionet janë duke bërë gati një listë me kërkesat e qytetarëve që aktualisht janë jashtë vendit dhe që kanë kërkuar kthimin në Kosovë.
“Ambasadat dhe Ministria e Punëve të Jashtme po krijojnë lista të qytetarëve të cilët kanë urgjencë që të kthen në Republikën e Kosovës. Deri më tani kemi rreth 850 qytetarë që janë lajmëruar në ambasadat përkatëse. Sot na vjen fluturimi i radhës nga Gjermania, ku pritet që të kthehen rreth 180 qytetarë. Javën e ardhshme do të merremi me të gjitha rastet veç e veç. Kërkesat më të mëdha i kemi prej Gjermanisë dhe Zvicrës, kurse nga vendet e tjera numri i qytetarëve është më i vogël, pra do të shohim si do t’i organizojmë në ditët në vijim”, tha Zogaj.
Në Qendrën e Studentëve të Universitetit të Prishtinës gjithçka është bërë gati për t’i pranuar personat që kthehen në Kosovë nga vendet tjera.
Drejtori i Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta, tha se stafi i qendrës është duke menaxhuar qëndrimin e personave që janë kthyer nga vendet e jashtme e të cilët janë vendosur në karantinë për 14 ditë.
Sfishta tha se Qendra e Studentëve ka në dispozicion rreth 4,000 shtretër, mirëpo sipas tij, jo të gjithë i plotësojnë kushtet për karantinë.
“Qendra e Studentëve i ka kapacitet 4,000 shtretër, mirëpo për këtë gjendje që ka ardhur të përshtatshme janë katër konvikte me rreth 1,700 shtretër. Do të thotë janë të përgatitur të gjitha, pra është dita e tretë që kanë nisur të vendosen në karantinim persona të ardhur nga jashtë, në konviktin numër tetë. Pastaj do të vazhdohet me konviktin, gjashtë e shtatë. Ka specifika të veçanta. Këto tjerat konvikte janë me banjë kolektive. Banjat kolektive nuk rekomandohen nga Instituti i Shëndetësisë Publike, pasi përdoren nga shumë persona”, tha Sfishta.
Në procesin e sistemimit të të kthyerve është duke ndihmuar edhe Forca e Sigurisë së Kosovës. Me kërkesë të qeverisë, FSK-ja, është duke kryer transportin e personave që nga Aeroporti “Adem Jashari” dërgohen direkt në karantinë.
Shefi i Zyrës për Informim në Ministrinë e Mbrojtjes të Kosovës, Ibrahim Shala, tha për Radio Evropa e Lirë, se FSK-ja do të vazhdojë të bëjë transportimin e qytetarëve që vijnë nga jashtë.
“Ne jemi duke i kryer detyrat aty ku na është kërkuar. Deri m; tani ne kemi kryer operacione logjistike, si për shembull mbështetjen me tenda, me kontejnerë, me transport të udhëtarëve siç është rasti i fundit, transporti i udhëtarëve që bëhet nga aeroporti që janë të dyshuar për infektim me koronavirus dhe që barten deri te karantina ku është caktuar, në këtë rast te Qendra e Studentëve në Prishtinë”, tha Shala.
Përveç Qendrës së Studentëve, në Kosovë aktualisht nuk ka ndonjë objekt tjetër të shndërruar në karantinë, ndonëse janë përmendur opsione të shumta.
Në rast të rritjes së numrit të qytetarëve që duhet vendosur në karantinë, atëherë, do të mendohet edhe për vende të tjera që plotësojnë kushtet e kërkuara nga Instituti i Shëndetësisë Publike, thotë zëvendësministri i Ministrisë së Shëndetësisë, Izet Sadiku.
“Shtretër i kemi kapacitetet që i ka Qendra e Studentëve. Mirëpo, përveç shtretërve në qoftë se do të rritet numri, atëherë qeveria do të mendojë edhe për shtretër rezervë, vende të tjera. Për momentin edhe një grup i qytetarëve që do të kthehet sot do të ketë vend për vendosjen e tyre në Qendrën e Studentëve”, tha Sadiku.
Zëvendësministri Sadiku thotë se të gjithë të kthyerit do të qëndrojnë karantinë të obligueshme për 14 ditë, duke bërë të ditur se jo gjithsecilit do t’i bëhet testi për të parë nëse është i prekur me koronavirus.
Për masat që do të merren me të kthyerit nga jashtë Kosovës, Sadiku thotë se vendos Instituti i Shëndetësisë Publike.
Aktualisht Kosova ka 21 raste të konfirmuara me koronavirus, prej tyre shumica janë qytetarë të ardhur nga vendet e ndryshme të Evropës, kryesisht Italia, vend ky që po prin në botë për nga numri i vdekjeve si pasojë e koronavirusit.