Rreth Fondeve të Trustit: Koha për të blerë, jo shitur aksionet

Prishtinë | 24 Mar 2023 | 20:56 | Nga Shenoll Muharremi

Ka pasur shumë diskutime rreth fondeve të trustit duke stresuar që ‘po humben qindra milionë çdo ditë’. Një familjare më thirri në telefon të më pyes nëse fondet tona janë në rrezik! Kuptohet, e gjithë kjo po ndodhë në një kohë kur disa banka të mëdha në SHBA po dështojnë dhe kur kemi një ambient krizash ekonomike gjithandej të shkaktuara nga inflacioni i lartë dhe rritja e shkallës së intereseve.

Me të drejtë po kritikohet mos funksionalizimi i bordit të Trustit Pensional dhe mos funkcionalizimi i disa pozitave tjera kyqe në sektorë të ndijshëm financiar dhe të ekonomisë. Të kthehemi tek fondet e Trustit: A po humbin mjetet tona?

Sot kur u kyqa të kontrolloj fondet e Trusit, kuptova që ne jemi në fitim. Një fitim rreth 15-20%, pra nëse kemi kursyer 1,000EUR apo 10,000EUR, tani kemi respektivisht rreth 1,200EUR apo 12,000EUR. Dmth ne jemi në fitim dhe kjo shpjegon më së miri se investimet që janë bërë në tregjet financiare nuk mund të shiqohen me lëvizjet ditore, javore apo edhe mujore po janë investime afatëgjata.

Nga fillimi i vitit 2022, shumica e vlerave të akcioneve në tregjet financiare kanë rënie. Gjithashtu edhe indekset kryesore kanë një rënie rreth 20% nga kulmi që arritën pas pandemisë. Kjo nuk do të thotë që ne duhet ti tërheqim mjetet. Tregjet financiare me shumë gjasë do të rikuperohen dhe rriten edhe më shumë.

Andaj, edhepse nga aspekti psikologjik, nëse shiqohen mjetet në baza ditore të krijohet përshtypja që po humbin fondet, ky nuk është rasti, në rast se ne nuk i shesim akcionet me çmime momentale. Ne, në fakt, do i humbim mjetet vetëm nëse bordi apo kushdo që është i autorizuar i shet akcionet/investimet në këto çmime.

Eksperienca tregon që tani nuk është koha të shesim akcionet/investimet. Tani duhet të investojmë edhe më shumë, të blejmë edhe më shumë akcion. Zakonisht ata që blejnë kur cmimet bien fitojnë, ndërsa humbës janë ata që shesin në cmime në rënie.
Ka shumë mundësi që vlerat më të ulta të akcioneve (the bottom) tashmë e kemi kaluar apo jemi duke u konsoliduar në nivelet me të ulta. Kjo nënkupton që pas një konsolidimi, do mund të kemi një rritje. Vlerat më të ulta janë arritë kur inflacioni ka arritur kulmin dhe kur shkallat e interesit janë rritur me vlerën më të lartë. Tani kur inflacioni ka një trend të uljes, duket që më e keqja ka kaluar.

Tani po shofim nëse do të futemi në një recesion të butë, por pritet që prej qerekut të parë të 2024 do fillon cikli i ri i rritjes ekonomike. Kjo nënkupton që ne tani dhe gjatë vitit 2023 duhet të investojmë dhe të presim fitimet prej 2024 e tutje derisa të arrihet kulmi i ciklit të ri biznesor. Rrjedhimisht, ju rekomandoj që llogaritë tona të Trustit të i shiqojmë gjatë pjesës së dytë të 2024.

Atëherë mund të shifet që ne, jo vetëm që nuk kemi humbur asgjë, por mund të jemi në fitime të mira. Tregjet financiare dhe investimet sikur të Trustit nuk janë punë ditore apo javore, ata që kanë durim dhe përcjellin strategjinë e tyre afatëgjate, përfitojnë më së shumti! Gjithmonë duhet të blejmë kur bie vlera, jo të shesim.

Të ngjashme