Për të pasur bisedime të suksesshme me Serbinë, fillimisht duhet të kthjellohet qëndrimi i Bashkimit Europian ndaj integrimit të Kosovës, duke e barazuar në rrugën e integrimit me Serbinë dhe duke i lëvizur të dyja këto shtetet në binarë paralelë të integrimit.
E dyta, sjellja e Serbisë në bisedime duhet të kushtëzohet me integrimin e saj në strukturat europiane. Ndërsa në planin e brendshëm të Kosovës, me dialog politik e intelektual intensiv, duhet të eliminohen dilemat e brendshme të ndërtimit të shtetit, duke lënë mënjanë opcionet që krijojnë huti e demobilizimin e popullit.
Krahas kësaj duhet të bëhet dekontaminimi i skenës politike nga aventurierët, nga profiterët e nga kriminelët, që e kanë zhvlerësuar jashtë mase këtë vend në sytë e qytetarëve të vet e në sytë e botës mbarë. Vetëm pastaj mund të hartohet një strategji e qartë e fuqizimit të shtetit, ku edhe bisedimet me armikun tonë të egër do të përjetoheshin si një akt i ri i triumfit të projektit tonë të shtetndërtimit.
Nëse nuk ndiqet kjo ecuri, atëherë rreziku i dështimit të shtetit të Kosovës është real, veçmas nëse hyhet në bisedime me Serbinë e fuqizuar dhe pothuajse të rifashistizuar nga partia (SPS) e Millosheviqit dhe nga partia e konvertuar e Sheshelit (SNS), të cilat janë më shumë të motivuara për hakmarrje, sesa për marrëveshje.
Prandaj, lypset një mobilizim i përgjithshëm politik e qytetar, pse jo edhe mbarëkombëtar, për të përballuar rreziqet e bisedimeve të reja politike me Serbinë. Përndryshe, Serbia ka paralajmëruar synimin që të kthehet në vendin e krimit, për të vazhduar serinë e krimeve hakmarrëse, sipas mallkimit të vjetër – “Osvetiti Kosovo“.