Rritja e pagës ndal grevën e punëtorëve të pastrimit, ja sa do të paguhen nga Prilli e tutje

Prishtinë | 15 Mar 2023 | 13:07 | Nga Ekonomia Online

Ka disa ditë që Prishtina është “mbytur” nga mbeturinat e shumta në secilën lagje.

E gjithë kjo pasi punëtorët e kompanisë “Pastrimi” nga pakënaqësitë që kanë për shkak të pagave të ulëta dhe mosplotësimit të kushteve të tjera, kanë nisur grevën.

Por nënkryetarja e Prishtinës, Donjeta Sahatçiu ka njoftuar se tashmë është zgjidhur ngërçi.

Ajo tha se pas dy ditëve intensive në ndërmjetësim me menaxhmentin ushtrues detyrë dhe sindikatën e punëtorëve në KRM Pastrimi, është arritur zgjidhja.

“Zgjidhet ngërçi i mbledhjes së mbeturinave në Kryeqytet derisa vazhdon nevoja për përmirësim të shërbimit.Pas dy ditëve intensive në ndërmjetësim me menaxhmentin ushtrues detyre dhe sindikatën e punëtorëve në KRM Pastrimi, e kemi një zgjidhje të pranuar në tavolinë. Greva e nisur e punëtorëve me kërkesën për rritje të pagës është ndërprerë mbrëmë në turnin e tretë. Sot u vendos që ~500 punëtorë me funksione teknike do të paguhen 70 euro më shumë nga muaji prill.Kjo zgjidhje nuk e plotëson nevojën e punëtorëve për kompenzim meritor e kushte më të mira të punës, ashtu sikurse nuk e zgjidh problemin e menaxhimit të mbeturinave në Kryeqytet përgjithmonë. Derisa e drejta për grevë për paga më të larta i takon secilit/es, ndërprerja e tërësishme e shërbimit për të cilin paguhen nuk është e drejtë për qytetarët që kërkojnë shërbim”,tha Sahatçiu, transmeton lajmi.net.

Tutje ajo shtoi se pas pas takimeve sy më sy me të gjitha palët, kanë kërkuar që brenda një afati prej tre muajsh të pranojnë propozimin me zgjidhje konkrete që rikthen qëndrueshmërinë e munguar në ndërmarrje dhe të sigurohen që rritet mirëqenia e secilit punëtor e secilës punëtore.

“Për të përshpejtuar procesin e mbledhjes së mbeturinave tashmë të grumbulluara disa ditë, kemi angazhuar ekipe me operatorë privat dhe kemi kërkuar mbështetje me kamionë nga njësitë e tjera të ndërmarrjes duke e rikujtuar që ndërmarrja i mbulon edhe komunat e tjera në rajon të Prishtinës.Kryeqyteti nuk mund të vazhdojë pa fund të subvencionojë ndërmarrjen dhe të paguajë për shërbimet që nuk i pranon në nivelin e dëshiruar. Gjendja e fundit që vuri në rrezik edhe shëndetin e qytetarëve është e pa pranueshme dhe nuk guxojmë t’a lejojmë të përsëritet më”, theksoi ajo.

Të ngjashme