“Rrugëtimi i Shqipërisë drejt BE-së është në rrezik”

Prishtinë | 13 Mar 2019 | 14:12 | Nga Ekonomia Online

Ambasadori i Bashkimit Evropian, Luigi Soreca, i ka bërë thirrje politikës shqiptare që të bëhet gati për zgjedhjet lokale të 30 qershorit, pasi siç ai theksoi, është detyrë e tyre t’u përgjigjen nevojave të qytetarëve.

Soreca gjatë një vizitë në Bashkinë e Vaut të Dejës, e quajti të rrezikuar integrimin e Shqipërisë, për shkak të krizës politike, me opozitën tashmë jashtë parlamentit. Ai i bëri apel për dialog palëve, megjithatë shtoi se, opozita e ka ndërmarrë një hap që nuk njeh kthim pas, siç është djegia e mandateve.

“…BE mban anën e qytetarëve të Shqipërisë që duan që Shqipëria të bëhet pjesë e BE. Ky është interes i 93% të shqiptarëve, që vendi të bëhet pjesë e BE. Situata ekzistuese politike në Shqipëri minon këtë ambicie, dëshirë të 93% të qytetarëve të Shqipërisë. Anëtarësimi i BE është objektivi ynë, prandaj i kemi bërë thirrje të gjitha palëve qeverisë dhe opozitës që të ulen dhe të bisedojnë në mënyrë që të përmbushet ky objektiv i 93% të shqiptarëve. Në rast se nuk do të ketë zgjidhje për këtë situatë politike në vend, atëherë rrugëtimi i Shqipërisë drejt BE është në rrezik”, tha Soreca.

Në lidhje me zgjedhjet lokale, ambasadori i BE-së në Tiranë, Soreca tha: “I bëjmë thirrje të gjitha institucioneve qendrore dhe lokale që të vazhdojnë të luajnë rolin e tyre në demokraci. Të kujdesen për interesat e qytetarëve. Sot patëm mundësi të dëgjonim problemet e rënda me të cilat përballen qytetarët në Vaun e Dejës. Ata kanë nevojë që institucionet të kujdesen tani. Dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të përgatiten për zgjedhjet vendore, sepse kjo është ajo që bëjnë institucionet demokratike, kujdesen për interesat e qytetarëve…”.

Nga ana tjetër, Drejtori i Përgjithshëm për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Christian Danielsson, në një konferencë për mediat në Tiranë, ka deklaruar se vendimi i opozitës për të djegur mandatet parlamentare në bllok minon rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Danielsson gjatë vizitës së tij realizoi takime me zyrtarë të lartë të Shqipërisë, si dhe përfaqësues të partive 

politike, ndërsa sipas tij, është fatkeqësi që “Shqipëria gjendet në pasiguri dhe mungesë stabiliteti politik”.

Ai u shpreh se udhëheqja e përgjegjshme është e vetmja mënyrë për të krijuar një trajektore për fatin e vendit dhe për ta sjellë në tryezën e negociatave me BE-në. 

Duke folur për vendimin e opozitës për dorëzimin e mandateve parlamentare, Danielsson nënvizoi se ky veprim minon në mënyrë serioze rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit në BE. 

Sa i përket protestave të opozitës, Danielsson bëri një apel “që protestat të jenë paqësore dhe të mos bëhet thirrje për dhunë”. “Është e rëndësishme që protestat të jenë paqësore dhe përgjegjësit të mos bëjnë thirrje për dhunë. Nxitja e dhunës është një shqetësim i madh për ne”, përfundoi Danielsson. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme