Samiti i Liderëve Evropianë në Tiranë/ 47 krerë shtetesh dhe qeverish diskutojnë për sigurinë, energjinë dhe integrimin

Prishtinë | 15 Maj 2025 | 21:21 | Nga Ekonomia Online

Tirana pret më 16 maj takimin e gjashtë të Komunitetit Politik Evropian, i cili do të zhvillohet në Sheshin Skënderbej me pjesëmarrjen e 47 liderëve nga e gjithë Evropa për të diskutuar mbi sfidat dhe prioritetet e kontinentit.

Samiti, i bashkëorganizuar nga Presidenti i Këshillit Evropian António Costa dhe Kryeministri Edi Rama, ka si temë “Evropa e Re në një botë të re: unitet – bashkëpunim – veprim i përbashkët”.

Diskutimet do të përqendrohen në tre tryeza tematike:

1.Sigurimi i Evropës dhe forcimi i qëndrueshmërisë demokratike

2.Një Evropë për 600 milionë qytetarë: rritja e konkurrueshmërisë dhe sigurisë përmes inovacionit dhe qëndrueshmërisë

3.Një Evropë e hapur me kufij të sigurt: sfidat e lëvizshmërisë dhe fuqizimi i të rinjve

Udhëheqësit pritet të diskutojnë për mbështetjen ndaj Ukrainës, mbrojtjen evropiane, ruajtjen e demokracisë, aftësinë e përgjigjes ndaj kërcënimeve, si dhe për investimet dhe inovacionin si motorë të konkurrueshmërisë. Migracioni, lëvizja e fuqisë punëtore dhe e të rinjve janë gjithashtu në agjendë.

BE-ja përfaqësohet nga Ursula von der Leyen dhe Kaja Kallas, ndërsa agjenda përfshin sesione plenare, tryeza të rrumbullakëta dhe takime dypalëshe.

Vendet e përfaqësuara do të jenë si më poshtë:

Shtetet anëtare të BE-së
Shqipëria (organizatore)
Andorra
Armenia
Azerbajxhani
Bosnja dhe Hercegovina
Gjeorgjia
Islanda
Kosova
Lihtenshtajni
Moldavia
Monako
Mali i Zi
Maqedonia e Veriut
Norvegjia
San Marino
Serbia
Zvicra
Turqia
Ukraina
Mbretëria e Bashkuar

Të ngjashme