SBAShK: Nuk ka kompensim të orëve të humbura në pushimin pranveror

Prishtinë | 31 Mar 2019 | 13:16 | Nga Ekonomia Online

Sindikata e Bashkuar e Arsimit ka njoftuar se nuk do të ketë kompensim të orëve as gjatë pushimeve pranverore.

Përmes një njoftimi për medie ata kanë njoftuar se janë pajtuar me mësimdhënësit që nëse nesër u bëhet presion që të mbahet mësim, këta të fundit t’i lëshojnë objektet shkollore në shenjë proteste.

Njoftimi i plotë:

Me qëllim që të njoftohet edhe një herë opinioni, SBAShK-u përsërit se pushimi pranveror nga data 1 deri më 5 prill 2019 do të fillojë sipas kalendarit shkollor 2018-2019, aprovuar në fillim të vitit shkollor, pra, s’ka zëvendësim të orëve të humbura as gjatë pushimit pranveror e as vikendeve.

Gjatë dy ditëve të fundit është tentuar që të krijohet një paqartësi nga ndonjë këshill i prindërve duke ju bërë thirrje prindërve që të dërgojnë fëmijët në shkollë pasi që mësimdhënësit qenkan në shkollë.

SBAShK njofton edhe prindërit edhe nxënësit, por edhe opinionin e gjerë se mësimdhënësit pavarësisht a janë në vendin e punës a jo zhvillim të procesit mësimor për t’i zëvendësuar ditët e humbura të grevës nuk do të ketë.

Nuk është mirë të krijohen tensione shtesë sepse edhe kështu mësimdhënësit e Kosovës janë tepër të revoltuar e sidomos pas fyerjeve që u bënë nga dy deputetët e Kuvendit të Kosovës ditën e enjte në seancën e jashtëzakonshme e aq më shumë pse prindërit nuk reaguan në mbrojtje të mësimdhënësve të fëmijëve të tyre.

SBAShK-u të hënën ka ftuar kryesin e SBAShK-ut dhe kryetarët e sindikatave komunale të arsimit parauniversitar të të gjitha komunave me qëllim që të analizojë se si është situata gjatë pushimit pranveror dhe a ka presione ndaj anëtarësisë dhe varësisht nga informatat që marrim edhe do të marrim veprime sindikale duke mos përjashtuar edhe shpalljen e grevës në komunat ku ka presione e nëse presione do të ketë në shumicën e komunave do të shkohet në grevë të përgjithshme në nivel vendi.

I ftojmë mësimdhënësit nëse nesër, eventualisht bëhet presion përmes nxënësve me tentim që të hyjnë në klasa, gjoja për të zhvilluar mësim, në ato momente mësimdhënësit le të lëshojnë objektet shkollore në shenjë proteste.

SBAShK edhe përmes kësaj informate fton përsëri kryetarët e komunave të Kosovës të bisedojnë me drejtorët e DKA për t’i lënë të qetë mësimdhënësit e mos të ushtrojnë presione për zbatimin vendimit te ministrit Bytyqi deri në vendimin përfundimtar të gjykatës. Gjithashtu falënderojmë disa kryetar të Komunave qe kanë mirëkuptuar kërkesat e SBAShK-ut.

Nxënësve ju dëshmojmë pushime të mira pranverore nga data 1 deri 5 prill 2019. Zyra për informim e SBAShK-ut.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme