Kuvendi i Kosovës për dy ditë radhazi ka mbajtur dy seanca të jashtëzakonshme. Dje Kuvendi mbajti seancë të jashtëzakonshme me lidhur me vendimet e Qeverisë së Kosovës për ndarjen e mjeteve financiare nga shpenzimet e paparashikuara, ndërsa sot Kuvendi po ashtu ka mbajtur seancë të jashtëzakonshme lidhur me bllokimin e KQZ-së, seancë kjo në të cilën do të votohej një rezolutë për këtë temë.
Mirëpo, që të dy këto seanca kanë përfunduar pa nxjerrje të ndonjë rekomandimi si dhe pa votimin e rezolutës për zhbllokimin e KQZ-së, pasi që kishte mungesë kuorumi.
Artan Murati nga KDI në një prononcim për Telegrafin ka thënë se është bërë brend që të dështojnë debatet parlamentare.
“Gjithkush që përcjellë punën e Kuvendit në vazhdimësi pak a shumë e ka pritur një epilog të tillë të këtyre seancave, pasi që tanimë është bërë trend që të dështojnë shumica e debateve parlamentare për tema të caktuara. Përveç deputetëve të koalicionit qeverisës, edhe vetë deputetët nga opozita nuk po i marrin seriozisht këto seanca, e kjo dëshmohet me numrin shumë të vogël të deputetëve pjesëmarrës në seanca dhe diskutime”, ka thënë ai.
Murati ka theksuar se deputetët duhet të jenë më kërkues ndaj ekzekutivit që të jenë prezent në debate.
“Deputetët duhet të fillojnë të marrin seriozisht Kuvendin dhe punimet e Kuvendit, dhe të jenë më kërkues ndaj ekzekutivit për të qenë prezent në debatet që janë të ndërlidhura me ta, sepse është e pamundur të zhvillohen interpelanca e debate parlamentare të cilat implikojnë qeverinë nëse kabineti qeveritar nuk është i pranishëm”, është shprehur ai.
Njohësi i çështjeve politike, Ramush Tahiri, ka thënë për Telegrafin se Kuvendi ka mbetur në bllokadë sepse nuk ka vota.
“Kuvendi ka mbetur në bllokadë sepse nuk i ka 61 vota për t’i nxjerr rezolutat apo rekomandimet. Ndërsa asnjëra palë nuk po arrin me argumente ta bind palën tjetër që ta përkrah në përpjekjet apo synimet e saja. Për këtë Kuvendi po debaton, opinioni po i sheh qëndrimet e secilit, por edhe Qeveria edhe Kuvendi ka kohë që janë jo funksional dhe që janë në një lloj bllokadë”, ka thënë ai.
Sipas tij për të dalë nga kjo krizë vendi do të duhej të shkonte në zgjedhje.
“Tani do të ishte mirë që vendi të shkonte në zgjedhje për ta zgjidhur këtë krizë. Zgjedhjet do të mbaheshin brenda 45 ditëve. Por, duket se deputetët kanë interesa pragmatike, sepse tani i bëjnë 2 vite në qershor dhe e marrin rrogën kompensim në qoftë se e ka pasur mandatin 2 vjeçar. Gjithashtu faktori ndërkombëtar po thotë të mos shkohet në zgjedhje pa e zgjidhur çështjen e pezullimit të taksës, dhe pa u përcaktuar rreth dialogu. Tani kemi mbetur në situatë që nuk ka zgjidhje askush”, ka deklaruar ai.
Tahiri ka thënë se në këtë situatë, Kosova ka mbetur e izoluar dhe qytetarët kanë mbetur pa perspektivë.
“Në zgjedhje nuk po shkojnë, taksën nuk po e heqin, izolimi i Kosovës ka mbetur, do të thotë partnerët e koalicionit po përlahen apo po kundërshtohen dhe askush nuk po sheh zgjidhje. Zgjedhjet janë por po iu duket humbje kohe që pas 45 ditësh të mbahen, sepse nuk kanë bërë as reformë zgjedhore dhe mundet me u thellu rezultati. Tani kemi mbetur këtu pa perspektivë për qytetarët, por edhe humbjen e besimit tek institucionet e Kosovës të cilat nuk po dinë të përcaktohen për interes shtetëror, pasi kanë interesa të tyre”, ka theksuar ai.