Serbia kritikon Malin e Zi për mos hapje të kufirit me të

Prishtinë | 26 Maj 2020 | 14:18 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Transportit e Serbisë, Zorana Mihajlloviq, ka thënë se vendimi i Malit të Zi për të mos hapur kufijtë me Serbinë, është në kundërshtim me parimet e lirisë së lëvizjes, mbi të cilat bazohet Bashkimi Evropian dhe se nuk u kontribuon marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë në rajon.

“Mali i Zi në procesin e integrimit evropian, ka përparuar më shumë se Serbia dhe disa vende të tjera të rajonit. Në përputhje me këtë, ai do të duhej të ishtë shembull për të tjerët. Por në vend të kësaj, midis njerëzve krijohen barriera artificiale”, ka thënë Mihajlloviq, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

“Ky vendim e thotë qartë se jo vetëm Mali i Zi ka det dhe unë besoj se qytetarët tanë do ta kuptojnë këtë mesazh”, shtoi ajo.

Të hënën Qeveria e Malit të Zi, ka bërë të ditur se me cilat vende do t’i rihapë kufijtë, të cilët janë mbyllur për të frenuar përhapjen e koronavirusit.

Në mesin e tyre janë: Kroacia, Sllovenia, Austria, Gjermania, Polonia, Republika Çeke, Hungaria, Shqipëria dhe Greqia.

Me këto vende është thënë se kufijtë do të rihapen në ditët e para të qershorit.

Sipas autoriteteve malazeze, ato i kanë plotësuar kushtet e duhura epidemiologjike të Institutit të Shëndetit Publik, përkatësisht kanë deri në 25 të infektuar me koronavirus në 100 mijë banorë.

Marrëdhëniet midis Serbisë dhe Malit të Zi janë tensionuar qysh në fund të vitit të kaluar, kur Kuvendi malazez ka miratuar një ligj për liritë fetare, që thuhet se konteston pronësine serbe mbi disa kisha dhe territore në Mal të Zi. 

Të ngjashme