Serbia larg ballafaqimit me të kaluarën

Prishtinë | 24 Tet 2020 | 13:10 | Nga Ekonomia Online

Dragolub Vitomiroviq ka vdekur në një aksident komunikacioni në Serbi. Ka dyshime se ai edhe mund të jetë vrarë. Për një pjesë të popullit serb, ai shihej si person që bartte mëkate të mëdha më vete.

Në vitin 2001 në revistën “Timočka krimi revija” kishte publikuar një artikull me të cilin ishte tronditur opinioni serb. “Pesëdhjetë trupa në një kamion-frigorifer – sekret shtetëror”, mbante titullin artikulli që ilustrohej me fotografinë e gjysmës së kamionit që kishte dalë mbi ujin e lumit Danub në fshatin Tekija afër Kladovës, në lindje të Serbisë. Artikulli paraqiste edhe rrëfimin e shoferit të kamionit, Zhivadin Gjorgjeviq, shkruan KOHA.

Tregohej se si në breg të lumit më të madh të Evropës, pedales së gazit i ishte vënë peshë prej pesë kilogramësh që kamioni të zhytej sa më thellë në ujëra. Më vonë ishte konstatuar se bëhet fjalë për 50 veta të vrarë nga forcat serbe në Prizren e të cilët ishin bartur me kamion për t’i humbur gjurmët. Asokohe gjithçka bëhej me urdhra të shtetit që udhëhiqej nga Slobodan Milosheviqi.

Njëzet vjet pas…

E njëzet vjet pas, dallimi i shtetit serb me kohën e zymtë të viteve 1998-1999, duket tejet i vogël. Por edhe brenda popullit serb ka shenja tejet të zbehta sa i përket ndryshimit të qasjes në raport me shqiptarët e me Kosovën.

Ivica Daçiqi, të enjten, ka marrë kompetencat e kryetarit të Kuvendit të Serbisë. Deri atë ditë ka qenë ministër i Jashtëm e funksionar shtetëror ishte qysh në kohën e Slobodan Milosheviqit. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, në ditët kur Serbia donte të pastronte Kosovën nga shqiptarët e Bosnjë-Hercegovinën nga boshnjakët ishte ministër i Informacionit. Do të bëhej fort i njohur me fjalimin e tij se për një serb të vrarë do të vriten 100 boshnjakë myslimanë në Bosnjë. Në maj të këtij viti, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Serbi ka publikuar hulumtimin “Lufta në Serbi (1991-2001) – Ajo ka ndodhur”.

Aty ofrohen të dhëna të sakta edhe për kamionin që bartte 50 shqiptarë nga Kosova. Hulumtimi bën me dije për masakrat e shumta e përmendet edhe fakti se mbi një mijë trupa ende nuk janë gjetur pasi janë varrosur në grupe kolektive në Kosovë e Serbi. Shteti serb ka rrudhur krahët vazhdimisht. Madje, edhe ka ndërtuar objekte publike mbi varreza masive. Në fillim të këtij muaji, vetë Daçiqi i ka akuzuar ata që flasin për varret masive. Kësisoj ka bërë thirrje që qytetarët të mos tregojnë për vendndodhjen e tyre. Ndikimi i politikës serbe te qytetarët del të jetë goxha efektiv.

Në mbrëmjen e së enjtes mbi 250 veta janë bërë bashkë për të kundërshtuar hapjen e festivalit “Mirëdita, dobar dan!” në qendrën për Dekontaminim Kulturor në Beograd. Bile, kanë bërë thirrje për zhdukjen e shqiptarëve. Udhëheqësja e organizatës “Zavetnici” që i ka prirë protestës, Milica Gjurgjeviq, ka thënë se nuk njeh kulturë e art shqiptar. Sipas saj, nuk ka Kosovë dhe bëhet fjalë për një shtet virtual. Për Gjurgjeviqin nuk kanë ekzistuar masakra e represion mbi shqiptarët.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme