Serbia thotë se e hapi temën e Asociacionit në Bruksel, Qeveria e Kosovës tentoi ta fshehë

Prishtinë | 29 Tet 2020 | 15:34 | Nga Ekonomia Online

Drejtori i të ashtuquajturës zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkovic, pas takimit me delegacionin kosovar në Bruksel, deklaroi se pala serbe e ka ngritur sërish çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, duke thënë se nuk ka progres në dialog pa u formuar Asociacioni.

“Takimi ynë dypalësh dhe trepalësh filloi me çështjen e Komunave me shumicë serbe. Të gjithë duhet ta dinë se çfarëdo çështje që ngrihet, cilado çështje diskutohet në dialog, ne nuk mund të përparojmë pa formimin e Asociacionit. Tani është e qartë për të gjithë”, u tha Petkoviç gazetarëve në Bruksel, raporton Tanjug, përcjell lajmi.net.

Mirëpo Qeveria e Kosovës nuk e ka përmendur në njoftimin e saj çështjen e ngritur nga Serbia për Asociacionin.

Me anë të një komunikate për media, qeveria e Kosovës ka thënë se temë diskutimi kanë qenë çështjet e pretendimeve financiare dhe pronës mes dy vendeve, shkruan lajmi.net.

“Me ndërmjetësim të Emisarit Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, delegacioni i Kosovës, i prirë nga koordinatori shtetëror Skender Hyseni, ka zhvilluar sot në Bruksel, takimin e radhës me delegacionin e Serbisë. Temë e diskutimit ishte zgjidhja e pretendimeve financiare dhe e çështjeve të pronës midis dy vendeve”, thuhet në komunikatë.

Qeveria po ashtu ka thënë se në kuadër të kësaj teme sot është biseduar ekskluzivisht për pensionet dhe kadastrin.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme