ShBA-ja po na porosit: Shutojeni penalltinë në Bruksel!

Prishtinë | 26 Sht 2023 | 19:19 | Nga Agon Maliqi

Pasi ra pak niveli i testoseronit dhe i ekzaltimit me efektivitetin e policisë së Kosovës, shpresoj se ka hapësirë të flasim për toke për rrugën përpara.

Realiteti mbetet se veriu mbetet aty ku ishte, plot me serbë që nuk i besojnë këtij shteti dhe gjithmonë e më antagonistë ndaj tij, dhe Kosova mbetet bashkë me ta e cunguar ndërkombëtarisht.

Policia dhe mjetet e sigurisë janë vetëm njëra pjesë dhe e pamjaftueshme e ekuacionit në zgjidhjen e problemit.

Kosova nuk e ka luksin e kthimit të asaj pjese në vatër të përhershme konflikti dhe dhune e cila e mallkon edhe një brez në jetesë të mjerueshme, ku shqiptarë dhe serbë përfundojnë duke valuar flamuj kombëtarë në diasporë.

Kosova e ka komoditetin për ta përmbyllur shtetësinë dhe për ta vendosur pakthyeshmërisht kontrollin mbi veriun me mjete politike, me ndihmën e atyre shteteve që dje e vendosën flamurin në gjysëm shtizë sepse e njohin sovranitetin tonë mbi atë pjesë.

SHBA-ja vazhdon të na porosisë të njëjtën gjë prej më shumë se një viti: shutojeni penalltinë në Bruksel!

Tani që presioni u kthye drejt Vuçiqit për shkak të gafës me grupin terrorist, është koha t’i hidhet edhe topi i nxehtë i asociacionit ashtu siç e shohim të pranueshëm ne dhe siç na ka garantuar SHBA.

Aty pastaj do të kuptohet edhe më mirë se cila është pala problematike dhe koston e dështimit eventual le ta paguajë Serbia.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme