Shënohet 28 Maji – Dita e Qendrës Kulturore “Mensur Zyberaj” në Rahovec

Prishtinë | 28 Maj 2018 | 14:56 | Nga

Komuna e Rahovecit me akademi solemne ka shënuar sot 28 Majin, Ditën e Qendrës Kulturore “Mensur Zyberaj” në Rahovec. Të pranishëm në akademinë ishin Kryetari i Komunës, Smajl Latifi me bashkëpunëtorë, familjar dhe bashkëluftëtar të Heroit Mensur Zyberaj, emrin e të cilit e mbanë Qendra Kulturore në Rahovec.

 “28 maji është skalitur me shkronja gjaku në historinë e popullit të Rahovecit, ngase në këtë datë të vitit 1999 në fushë të nderit ranë shumë dëshmorë në betejën e ashpër dhe të pabarabartë që u zhvillua në zonën e Mileskës, në trekëndëshin Pojatat e Mullaabazëve-Krushë e Madhe- Qëndresë (ish Randobrava). Betejat e majit morën përmasa gjaku e heroizmi, ngase në fushë të nderit ranë shumë dëshmorë, ndër të cilët edhe njëri ndër themeluesit e celulave të para të UÇK-së në rajonin e Anadrinisë, respektivisht Zonës Operative të Pashtrikut, Heroi i Kosovës Mensur Zyberaj. Maji ishte muaji i rënieve e sakrificave të mëdha për liri.   Mensuri, Sadedini, Bekimi, Mexhiti, Ismaili, Habibi,  Milaimi,  Xhevdeti, Naimi, Besimi, Avniu, Alajdini, Xhevati, Bujari, Jetoni, Manushi, Bedriu, Kurtishi dhe shumë dëshmorë të tjerë të zonave të ndryshme që ranë në arenën e luftës çlirimtare, në ato beteja të përgjakshme e të pabarabarta me armikun në atë fund maji. Për të përjetësuar kujtimin për dëshmorët tanë na takon që në këtë vatër të kulturës të shpalosim gjithnjë e më shumë promovime të kulturës tonë tradicionale, të krijimeve të reja artistike dhe çdo vlerë tjetër që na identifikon si komb”, ka thënë ndër të tjera Kryetari Latifi në fjalimin e tij.

Vajdin Berisha, kryetar o OVL e UÇK-së në Rahovec tha se neve na mbetet ti kujtojmë ashtu siç ishin, na mbetet ti duam ashtu siç i deshëm sepse edhe ata na donin neve, por më shumë e donin lirinë e atdheut të tyre duke u bërë pjesë e Historisë Kombëtare.

Për aktivitetet në të cilat janë organizuar nga DKRS-ja në Qendrën e Kulturës foli, Ervin Hoxha drejtor i DKRS-së  i cili tha se deri më tani janë organizuar shumë aktivitete kulturore, por që në ditët në vazhdim do të ketë edhe aktivitete tjera kulturore.

Nuri Bexheti, bashkëluftëtar i heroit Mensur Zyberaj në fjalimin e tij ka thënë se këtu shoh jo vetëm gra të dëshmorëve, por shoh nëna të atyre, burrave që i kanë rrit. Ju duhet të ndjeheni mirë  dhe shumë të forta pasi që mos të kishin qenë ata burra edhe ne me siguri që nuk do të ishim këtu.

Të ngjashme