Shënohet 30-vjetori i rënies së komunizmit, përfituesja më e madhe ishte ShBA-ja

Prishtinë | 22 Nën 2019 | 10:10 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

UBT, në bashkëpunim me Institutin Shkencor Suedez-Kosovar, kanë mbajtur konferencën shkencore ndërkombëtare “30-vjetori i Rënies së Sistemit Komunist”, me ç’rast gjerësisht u diskutua për rënien e komunizmit dhe fillimin e demokracisë, konkretisht rënien e Murit të Berlinit, raporton Ekonomia Online.

Konferencën njëditore e hapi rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajirizi, i cili tha se rënia e Murit të Berlinit, 30 vjet më parë, eliminoi një padrejtësi të madhe.

Sipas tij, ky mur i dha fund ndarjes, teksa për botën, ky akt shënon rënien e Perdes së Hekurt dhe fundin e Luftës së Ftohtë.

“Një ëndërr për njerëzimin, për botën demokratike rënia e Murit të Berlinit dhe ribashkimi i Gjermanisë u bë realitet 30 vjet më parë. Ky mur, si simbol që kufizoi demokracinë e Perëndimit dhe diktaturën e Lindjes, la vragë të pashlyeshme në historinë e re të Evropës. Por, edhe më të mëdha ishin vragat e familjeve të ndara”, theksoi rektori Hajrizi.

Tutje, rektori Hajirizi potencoi se për gjithë botën demokratike, edhe për shqiptarët, rënia e Murit të Berlinit është një ngjarje historike, që shënon fuqizimin e përpjekjeve të pandalshme për liri e shtet, që kulmuan 10 vjet më vonë.

“Të mbeturit në pjesën lindore e panë jetën e tyre të ngjante me ferrin. Por, edhe më të rënda ishin fatet e të vrarëve në përpjekje për ta kaluar atë mur. Rënia e tij, 30 vjet më parë, ndreqi një padrejtësi të madhe. I dha fund ndarjes dhe mundësoi bashkimin e Gjermanisë. Për botën, ky akt shënon rënien e Perdes së Hekurt dhe fundin e Luftës së Ftohtë”.

“Rënia e Murit të Berlinit mundësoi jo vetëm ndreqjen e një padrejtësie të madhe historike ndarjen e  një populli në dysh, por i dha botës një Gjermani të bashkuar, simbol të zhvillimit të demokracisë, shembull i lirisë dhe sinonim i sigurisë dhe stabilitetit në Evropë dhe në gjithë botën”.

“Në këtë frymë, kancelarja gjermane Angela Merkel, tha se rënia e Murit është data që reflekton momente të tmerrshme, por edhe të gëzueshme të historisë sonë. Kjo datë tha ajo na bën të vetëdijshëm se duhet të përballemi me vendosmëri me urrejtjen, racizmin dhe anti-semitizmin”.

“Na kujton të bëjmë gjithçka që mundemi për të mbrojtur lirinë dhe demokracinë, dinjitetin njerëzor dhe shtetin ligjor”, tha Hajrizi.

Zëvendëskryeministri në detyrë, Enver Hoxhaj, tha se viti 1989 ka qenë fund i komunizmit dhe fillim i demokracisë. Me rënien e komunizmit, Hoxhaj tha se përfituese më e madhe është ShBA-ja, raporton EO.

“Viti 1989 ka qenë fundi komunizmit ka sjellë unifikimit të bashkimit evropian. Natyrisht kur japim vlerësime të tilla shtrohet pyetja kush përfitoj më shumë”.

“Dhe përfitues i kësaj është padyshim ShBA-ja. Këtë po e them se ka një debat të thellë për këtë. Komunizmi që ka qenë më herët është zëvendësuar me demokraci”.

“Ndryshimi ka qenë i madh sa në ato vjet ka pas të tillë që në vende të ndryshme kanë fol edhe për fundin e historisë. Këto 30 vitet e fundit përfitues është Ballkani dhe vetë Kosova”, tha Hoxhaj.

Të ngjashme