Shkolla e makinerisë s’ka nxënës sa kërkon tregu e ata të ekonomisë përfundojnë edhe kamerierë

Prishtinë | 27 Qer 2022 | 09:40 | Nga Ekonomia Online

Drejtuesit e dy shkollave profesionale në Prishtinë, “Hoxhë Kadri Prishtina” dhe “Shtjefën Gjeçovi”, kanë bërë thirrje për semimaturantët që të zgjedhin shkollat profesionale për të vazhduar arsimin e tyre të mesëm të lartë, në mënyrë që t’i qasen më lehtë tregut të punës.

Drejtori i shkollës “Shtjefën Gjeçovi”, Blerim Gërvalla, ka thënë se ka mungesë të nxënësve të cilët i plotësojnë nevojat e kërkesës së tregut të punës.

I ftuar në emisionin “Sot” në KTV, të hënën, Gërvalla tha se ka shumë kompani dhe biznese që kërkojnë të gjejnë punëtorë në këtë shkollë, por se numri i nxënësve nuk është i mjaftueshëm.

“Kemi shumë kompani e biznese që vijnë te ne në shkollë që të gjejnë punëtorë. Numri i të punësuarve është shumë i lartë, kemi një hulumtim që tregon se rreth 60 për qind të të gjitha profileve janë të punësuar. Nxënësit mund ta gjejnë veten në tregun kosovar por edhe atë evropian, diploma e shkollës sonë njihet edhe jashtë vendit”, ka thënë ai.

E drejtori i shkollës ekonomike “Hoxhë Kadri Prishtina”, Jahë Sahiti, është ankuar për mungesë të vendeve të punës për nxënësit që e përfundojnë mësimin në këtë shkollë.

Bazuar në hulumtimet që ai thotë se janë bërë, nxënësit pas përfundimit të shkollave punojnë jashtë profesionit të tyre.

“Disa edhe si kamerierë”, pohoi Sahiti.

Ai ka akuzuar organet qeverisëse nacionale e lokale për mos-stimulim të nxënësve për përgatitje në tregun e punës.

“Mungesa e vendeve të punës është një çështje shumë e rëndësishme në vendin tonë, kemi bërë hulumtime praktike statistikore pas përfundimit të shkollave, ku mbeten, më shumë nxënës të shkollës ekonomike janë jashtë profesionit të tyre. Nuk ka vende adekuate për procesin e punës për çka mëson te ne. Cilësia e nxënësve nuk është e kënaqur, mungojnë mjetet e ndryshme për arsimin profesional sa i përket kryerjes së praktikës profesionale. Shkollat profesionale nuk mund t’i qeverisin as ministria e as drejtoria komunale, por duhet të kalojnë në Agjencinë për Arsim dhe Arsim Profesional, ose do të duhej të pavarësoheshin. Nxënësit që dalin në terren për të kryer praktikën nuk janë aspak të stimuluar”, ka thënë ai.

Gërvalla ka thënë se me kalimin e menaxhimit të shkollës që e drejton nga drejtoria komunale në Agjencinë për Arsim dhe Arsim Profesional, mundësitë për qasje në treg të punës janë bërë shumë më të mëdha.

“Që nga viti 2015 kemi kaluar në menaxhimin e Agjencisë për Arsim dhe Arsim Profesional dhe që nga ajo kohë të gjitha shtigjet na janë hapur, jemi decentralizuar në masë të madhe, nuk e kemi më problem pajisjen me material për praktikë, infrastruktura është ndryshuar dhe performojmë shumë më mirë sesa kur kemi qenë me drejtori të Arsimit para vitit 2015”, ka thënë ai.

Nxënësi Murat Berisha nga shkolla profesionale e makinerisë, që ka kaluar aty me anë të transferimit nga gjimnazi shoqëror “Ahmet Gashi”, ka lavdëruar kushtet që i janë dhënë për përgatitje.

“Shkolla profesionale t’i jep kushtet e mira për përvojë. Unë fillimisht jam regjistruar në gjimnazin ‘Ahmet Gashi’, por nuk e kam gjetur veten aty dhe jam transferuar në ‘Shtjefën Gjeçov’. Është kënaqësi pasi ka kushte të mira, ka arsim cilësor, ka kushte për të kryer praktikë me mjetet e nevojshme pasi kemi punëtoritë në shkollë, e më pas në vitin e fundit mund ta kryejmë praktikën edhe jashtë në kompanitë që kanë marrëveshje me shkollën. Përveç kësaj, praktika në terren paguhet, paguhet ushqimi, rruga, por edhe jepet një shumë e caktuar e të hollave. Shkolla më jep mundësinë që të aftësohem në drejtimin tim, sot një sistem të nxehjes mund ta përfundoj vetë në një shtëpi, profesorët janë shumë të mirë, na motivojnë shumë dhe mundohen të na plotësojnë të gjitha kushtet për të mësuar”, ka thënë ai.

Të ngjashme