Shoqëria civile: Sektori i bujqësisë po përballet me sfida – mungojnë strategjitë, kërkohen masa të shpejta

Prishtinë | 27 Tet 2023 | 13:07 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), Grupi për Studime Politike dhe Juridike (GLPS) dhe Institutin GAP, kanë publikuar të premten raportin “Bujqësia në fokus: roli, impakti dhe keqpërdorimet e fondeve mbështetëse”, raporton Ekonomia Online.

Liron Gjocaj, hulumtues në INDEP, tha se ky projekt ka për qëllim, të luftojë korrupsionin si dhe krimin e organizuar duke e bërë monitorimin e institucioneve publike përgjatë pesë komponentëve.

“Projekti ka për qëllim të luftojë korrupsionin si dhe krimin e organizuar duke e bërë monitorimin e institucioneve publike përgjatë 5 komponentëve: Lëshimin e lejeve dhe licencave nga MMPHI, KPMM, ZRRE dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë. Shpërndarjen e Granteve dhe Subvencioneve nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural si dhe nga Ministria e Rinise, Kulturës dhe Sportit. Procedurat e prokurimit. Rekrutimin ne pozitat e larta si dhe ndërmarrjet publike”, tha ai.

Lauura Nushi, hulumtuese dhe koordinatore e projektit, duke folur për të gjeturat e këtij raporti tha se bujqësia në Kosovë përkundër parakushteve të favorshme për të qenë një vend i vyer bujqësor, vazhdon të përballet me sfida të mëdha.

Sipas saj, këto sfida po e pengojnë zhvillimin për shkak të politikave të gabuara dhe mungesës së vizionit për të promovuar zbatimin e strategjive efektive në shumë nën-sektorë të saj. Nushi dha edhe rekomandimet të cilat duhet ndjekur për përmirësimin e gjendjes.

“Bujqësia është, dhe konsiderohet të jetë një nga sektorët më të rëndësishëm dhe më me rol strategjik për zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës. Megjithatë, ky sektor vazhdon të karakterizohet me ferma relativisht të vogla jostabilitet, produktivitet të ulët, si dhe shërbim këshillëdhënës dhe proces monitorimi të dobët”.

“Në anën tjetër, sfida e ushqimit mbetet një ndër sfidat më të mëdha me të cilat shoqëria jonë vazhdon të përballet pavarësisht incentivave, investimeve në këtë sektor. Fakti që 26% e popullsisë është e papunë dhe që 23% jeton në ose nën kufirin e varfërisë me pamundësi të përmbushjes së nevojave ushqimore pa u ndihmuar nga shteti nëpërmjet skemave sociale, vazhdon të jetë mjaft shqetësues. Ndër të tjerash, vendi po përballet edhe rritje enorme të çmimeve të të mirave esenciale për jetesë”.

“Gjatë 5 viteve te fundit, vlera totale e miratuar me qëllim të zhvillimit të sektorit të bujqësisë, shndërrimit të tij në një sektor me modern me pajisje më të avancuara, duke përkrahur bujqit dhe fermerët me një buxhet të miratuar prej 396 milionë euro për 5 vitet e fundit; prej te cilave zbatim kane gjetur: 186 milionë euro për një periudhë 3 vjeçare, duhet cekur që të dhëna për vlerën e implementuar për dy vitet e fundit nuk janë bërë të njohura për publikun. Shndërrimi i tokave industriale ne ato bujqësore për 4 herë më i madh në 20 vitet e fundit, numri i kafshëve, blegtoria e këto janë të njëjta, me një vlerë krahasuese prej maksimum 5 %”.

“Keqpërdorimi i granteve dhe subvencioneve nga Raporti i Auditimit të Performancës, Procesi i Menaxhimit të Granteve dhe Subvencioneve në sektorin e Bujqësisë, Zyra Kombëtare e Auditimit, ka potencuar se Ministria ende nuk ka rregullore apo plane që përcaktojnë qartë zhvillimin e aktiviteteve në aspektin kohorë dhe procedural. Aprovimi i programeve shpeshherw vonohet duke shkaktuar vonesa në shpalljen e tyre dhe duke ndikuar në tërë proceset deri tek ekzekutimi i pagesave”.

“Mungesa e digjitalizimit, Ndarja e parcelave, Licencimi i veterinareve, Regjistrimi i bagëtisë. Si përfundim, është evidente që bujqësia në Kosovë përkundër parakushteve të favorshme për të qenë një vend i vyer bujqësor, vazhdon të përballet me sfida të mëdha të cilat e pengojnë zhvillimin e tij si një sektor me vlerë të shtuar për shkak të politikave të gabuara dhe mungesës së vizionit për të promovuar zbatimin e strategjive efektive në shumë nën-sektorë të saj. Kjo ka rezultuar në çmime të larta të produkteve bujqësore në vend, edhe më të larta se të produkteve që importohen nga jashtë vendit siç është rasti me produktet e qumështit. Për të ruajtur një sektor bujqësor dhe për të shtuar vlerë, të qëndrueshëm dhe konkurrues në treg është e nevojshme që të ndërmerren masa të menjëhershme për të përmirësuar politikat dhe strategjitë bujqësore”, tha ajo.

Të ngjashme