Shpend Ahmeti sqaron borxhin e Komunës ndaj ujësjellësit

Prishtinë | 13 Gus 2017 | 11:12 | Nga

Kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” së bashku me Komunën e Prishtinës në vitin 2011 kishin nënshkruar një marrëveshje 5 milionëshe për subvencionin e Fabrikës së Ujit në fshatin Shkabaj.

Shumë kjo të cilën sipas Ujësjellësit, Komuna e Prishtinës nuk e ka paguar të gjithën. Deri më tani Komuna e Prishtinës ka paguar vetëm 2 milionë e 553 mijë euro, ajo i ka borxh edhe 2 milionë e 447 mijë euro.

“KUR Prishtina” përmes një kërkese drejtuar Komunës së Prishtinës, kërkon të transferohej pjesa e mbetur e shumës totale.

Mirëpo i pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka thënë për Insajderin se “mjetet të cilat është duke i kërkuar Ujësjellësi ia transferoj kur së bashku me kërkesën të jetë edhe raporti i detajuar i shpenzimeve në mënyrë që ti bartim mjetet”.

“Këto janë para të taksapaguesve të Prishtinës dhe cdo pagesë e tillë milionëshe bëhet me kujdes të shtuar te manxhmenti financiar”, ka thënë Ahmeti për Insajderin.

Ahmeti ka shtuar se “është në kontakt me të rregullt me menaxhmentin e ujësjellësit dhe me Bankën Gjermane KFW”.

“Tjerat janë deklarata politike të fushatës zgjedhore. Transferi merr një ditë”, ka përfunduar Ahmeti.

Ndërtimi i Fabrikës për përpunimin e ujit të pijshëm në Shkabaj ka arritur koston në vlerë prej 35 milion euro.

Financues të projektit kanë qenë Qeveria e Kosovës me 5 milionë, Bashkimi Evropian me 5 milionë euro, Komuna e Prishtinës me 5 milionë euro, dhe 20 milion KRU”Prishtina” sh.a. të cilat janë marrë kredi nga Banka Gjermane për Zhvillim me ç’rast, garantuese të kthimit të saj është Qeveria e Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme