Shqiptarja 101-vjeçare në Itali e mposhti Coronavirusin

Prishtinë | 24 Jan 2021 | 12:42 | Nga Ekonomia Online

Shqiptarja 101-vjeçare në Itali, Bajame Goxhabelli, ka arritur ta mposhtë koronavirusin, ka njoftuar “Udine Today”.

Bajame Goxhabelli është lindur në Shqipëri më 12 mars të vitit 1920, por për shumë vjet jeton në Tricesimo.

Ajo ka shtatë fëmijë, 15 nipër e 25 stërnipër dhe është e rrethuar nga plotë dashuri. Por, kur Goxhabelli, që është gati 101-vjeçare u prek nga COVID-19, kishte shqetësim të madh për gjithë familjen. Mirëpo, ajo arriti ta përballonte këtë sfidë e rrethuar nga dashuria e familjes.

“Gjyshja jonë 101-vjeçare i ka mbijetuar COVID-it dhe në këtë moment është në gjendje të mirë fizike dhe mentale: mban në mend emrat e gjithë nipërve”, ka njoftuar mbesa e saj Esmeralda.

Ditët e sëmundjes nuk ishin të lehta për të, ndonëse nuk pati nevojë për hospitalizim.

“Sëmundja ishte e vështirë. Në një moment ishin të gatshëm të telefononim 118 dhe të kërkonim ndihmë: gjyshja kishte vështirësi me frymëmarrje dhe kishte ngrënë shumë pak për afro katër ditë, pasi kishte vështirësi të hante dhe të pinte”, tregon Esmeralda.

Mirëpo, Bajame Goxhabelli arriti ta tejkalonte sfidën.

“Me vendosmërinë e saj dhe insistimin për të mos e lëvizur nga shtëpia, ajo gradualisht u rikuperua. Për gjithë familjen ishte e vështirë kjo. Ne jemi të gjithë krenar dhe admirojmë forcën e saj”, ka thënë Esmeralda.

Të ngjashme