Shteti gjunjëzohet përballë “Ferronikelit”

Prishtinë | 05 Tet 2016 | 12:20 | Nga

Me urdhër të kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit është detyruar të favorizoj ndërmarrjen private “Feronikeli”, për të mos ikur nga Kosova.

Për hatër të “shefave” drejtuesit e AKP-së për një ditë kanë nxjerrë rregulloren për qeradhënie dhe kanë marrë vendim që ti japin në shfrytëzim kësaj ndërmarrje një pjesë të minierës së Goleshit, e cila kishte dështuar në procesin e Privatizimit, pa ndonjë specifikë se sa do të paguaj për shfrytëzim të saj. Krejt kjo ka ndodhur me datën 26 gusht,  kur është mbajtur mbledhja e bordit të drejtorëve të AKP-së.

Gazeta Fjala mëson në bazë të vendimit të Bordit, që mbanë nënshkrim e kryesuesit, Petrit Gashi,  se për një vit, Ferronikeli do të shfrytëzoj xehen e Ndërmarrjes Shoqërore “Miniera dhe industria e magnezit” – MIM Goleshi për vazhdimin e aktiviteteve komerciale.

Në marrëveshje i lejohet edhe bllokimi i rrugës që qon nga fshati Magure për në Aeroport, bashkë me linjën hekurudhore, për sa kohë të mbetet në fuqi vendimi i AKP-së.

AKP fsheh shumën e qerasë

Zyrtarë të këtij institucioni kanë thënë se kjo është marrëveshje për qiradhënie e cila përllogaritet  në bazë të shfrytëzimit të xehes, por as ata nuk e dinë se sa do të jetë pagesa e saktë. Madje as në rregulloren e cila i mundëson bordit të hyjë në marrëveshje për qiradhënie direkte, sikur në këtë rast, për dallim nga procedurat e mëhershme kur është dashur të bëhet shpallje publike për dhënien e aseteve me qera, nuk specifikohen tarifat.

“Parcela ka sipërfaqe prej 4,500 metra katrorë, ndërsa vlera e kompensimit do të përllogaritet në bazë të shfrytëzimit të xehes”, ka thënë Ylli Kaloshi, zëdhënës i AKP-së.

Sipas tij, kjo qiradhënie do të mundësoj vazhdimin e aktiviteteve të Ferronikelit dhe është mbështetur nga te gjitha institucionet relevante te Republikës se Kosovës.

Më 25 maj të këtij viti, kryeministri Isa Mustafa i kishte kërkuar kabinetit të tij që të ndihmojnë rikthimin e kësaj ndërmarrje në punë pas ndërprerjes së prodhimit për shkak të krizës. Mustafa pati thënë se ka thënë se jo secilës kompani private mund t’i ndihmojnë, por se Ferronikeli përbën interes të veçantë pasi që punëson mbi 1000 punëtorë dhe përbën eksportin pothuajse kryesor.

Drejtuesit e kompanisë Ferronikeli pas ndërprerjes së punës i patën kërkuar Qeverisë së Kosovës uljen e kostos së energjisë elektrike, pasi që 30 për qind e shpenzimeve janë në energji, ose nëse kjo nuk ndodh ata kanë kërkuar t’u lejohet importi i energjisë që ata të gjejnë energji më lirë, edhe pse kohë më parë Qeveria kishte nënshkruar një marrëveshje të veçantë për furnizim me energji të Ferronikelit.

Pos kësaj, ata kanë kërkuar edhe lejimin e zhvendosjes së një rruge tek miniera, për të mundësuar shfrytëzimin e xehes, ndërsa pas eksploatimit ata janë shprehur do ta kthejnë rrugën në gjendjen e mëparshme. Po ashtu kanë kërkuar edhe zhvendosjen e binarëve të trenit, që dërgon në Golesh për të mundësuar të ketë eksploatim të xehes.

AKP ia përshtat rregulloren Ferronikelit

Në Agjencinë Kosovare të Privatizimit thonë se Bordi i Drejtorëve i AKP-së e ka shqyrtuar kërkesën e “Ndër e re Ferronikeli” dhe propozimin e Autoritetit të Likuidimit të kësaj ndërmarrje me pëlqimin e Menaxhmentit të Agjencisë dhe në mbledhjen e mbajtur në muajin gusht të këtij viti ka marrë vendim që të aprovohet dhënia për shfrytëzim e një prone të Ndërmarrjes Shoqërore “Miniera dhe industria e magnezit” – MIM Goleshi (në likuidim) për një periudhë deri në 12 muaj.

“Miratimi është bërë në bazë te neneve 6.1.14, 15.1 dhe 15.2.9 të Ligjit për AKP-në si dhe nenit 18.1.5 dhe 28.1 të Shtojcës së të njëjtit Ligj, pastaj duke iu referuar nenit 3.7.1 iv të Udhëzuesit të Likuidimit dhe konform Rregullores për Qiradhënien e Aseteve të Ndërmarrjeve Shoqërore, ku parashihet mundësia që në raste të caktuara të aplikohet metoda e qiradhënies direkte”, ka treguar Kaloshi.

Sipas tij, është në diskrecion të Bordit të Drejtorëve që të aplikoj metodën e qiradhënies direkte në raste specifike të parapara me nenin 10 të Rregullores në fjalë (Rregullorja për Qiradhënien e Aseteve të Ndërmarrjeve Shoqërore është e publikuar në ueb faqen zyrtare të AKP-së, e cila është miratuar të njëjtën ditë kur është marrë vendimi për qeradhënie).

Pas marrëveshjes me institucionet e vendit, Ferronikeli i është rikthyer prodhimit. Gazeta Fjala ka provuar të kontaktoj me përfaqësuesit e kësaj ndërmarrje, por nuk ka arritur të marr përgjigje.

Ndërkaq, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të “Ferronikelit”, Fehmi Nika, ka thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet për rifillimin e mbarë të prodhimit në gjigantin e madh  ekonomik kosovar.

Nika ka thënë për Gazetën Fjala seky proces tashmë ka filluar derisa të gjitha elementet dhe mjetet e prodhimit janë duke funksionuar sipas programimit.

Favoret e shtetit për Feronikelin

Mbështetja institucionale për ndërmarrjen “Ferronikeli”, nuk ka munguar as në të kaluarën.

Kuvendi i Komunnës së Drenasit ditë më parë e ka liruar nga taksa komunale ndërmarrjen “Ferronikeli”, me arsyetimin se është jashtë prodhimi dhe si mas lehtësuese.

“Në mbledhjen e Kuvendit të Komunës së Drenasit, në mesin e 7 pikave të rendit të ditës, si pik e veçant e kërkuar nga anëtarët e Kuvendit është diskutuar edhe për ndërmarrjen e Ferronikelit, ku si masë lehtësuese, Kuvendi mori vendim që për fillimin e prodhimit kompanisë në fjalë të lirojë nga taksa komunale në kohëzgjatje prej një viti”, thuhet në komunikatën e KK së Drenasit.

Kjo kompani private kishte  lidhur një kontartën  në kohën e UNMIK-ut me KEK-un për të ia shitur me lirë energjin eletrike.

Në një letër që ministrja e atëhershme e Energjisë dhe e Minierave, Justina Shiroka – Pula, i kishte dërguar KEK-ut, janë zbardhur për herë të parë humbjet që kjo korporatë ka pasur nga kjo kontratë.

Sipas kësaj letre, gjatë vitit 2008 KEK-u ka humbur rreth 20 milionë euro nga kontrata. Ndërsa gjatë vitit 2009 humbjet kanë qenë më të vogla – deri në qershor llogaritet t’i ketë humbur 8 milionë euro.

vendimi akp

rregullorja - AKP

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme