Në mungesë të dy të akuzuarve ish-deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Naser Osmani dhe të akuzuarit tjetër Agim Deshishku, si dhe mbrojtësve të tyre, ka dështuar sërish të nis rigjykimi për korrupsion, në rastin e njohur si “FAN”.
Osmani bashkë me zyrtarët e Agjencisë Kosovare të Privatizimit Melita Ymeraga, Adrian Kelmendi, Bahri Shabani, Shkëlzen Lluka dhe Naim Avniu, po akuzohen për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.
Ndërsa i akuzuari Agim Deshishku po gjykohet për legalizim të përmbajtjes së rreme.
Ldhur me mungesën në seancë, i akuzuari Osmani përmes mbrojtësit të tij, avokatit Besnik Berisha ka njoftuar gjykatën se nuk do të jetë prezent në seancën e së martës, për çka mungesën e kishte arsyetuar. Në seancë mungoi edhe avokati Berisha.
Po ashtu, mungoi i akuzuari Agim Deshishku i cili për shqyrtimin e sotëm gjyqësor ka qenë i njoftuar nga seanca e kaluar, mirëpo i njëjti mungesën nuk e ka arsyetuar.
Për këtë gjykatësi Agim Kuçi, tha se do të lëshojë urdhëresë për sjellje me shoqërim nga policia.
Po ashtu, në këtë seancë munguan edhe mbrojtësit e të akuzuarit Agim Deshishku, avokati Granit Vokshi dhe Arianit Koci, të cilët kanë qenë të njoftuar me ftesa të rregullta, mirëpo të njëjtit mungesën e tyre nuk e kanë arsyetuar.
Në mungesë të kushteve ligjore, seanca u shty për datën 28 tetor 2021.
Ndryshe, Naser Osmani, Melita Ymeraga, Adrian Kelmendi, Bahri Shabani, Shkëlzen Lluka, ishin shpallur të pafajshëm nga gjykata e shkallës së parë, mirëpo në mars të vitit 2020, Gjykata e Apelit kishte bërë të ditur se rastin e kishte kthyer në rigjykim.
Kurse, biznesmenit Agim Deshishku, i cili ishte dënuar nga shkalla e parë për mashtrim në vazhdimësi dhe shmangie nga tatimi, Apeli ia kishte vërtetuar dënimin. Megjithatë, edhe Deshishku do të rigjykohet për sa i përket veprës penale të legalizimit të përmbajtjes së rreme në vazhdimësi, për të cilën akuzë ishte liruar nga akuzat nga shkalla e parë.
Ky rast është i shënjestruar për liberalizim të vizave dhe kishte qenë duke u gjykuar nga gjykatësi Shashivar Hoti.
Mirëpo, pasi i njëjti kishte ndërruar jetë në korrik të vitit 2020, ky rast i është trashëguar gjykatësit Agim Kuqi.