Shtyhet seanca për “veteranët e rrejshëm”

Prishtinë | 28 Jan 2019 | 10:19 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ka dështuar të mbahet shqyrtimi fillestar ndaj 12 të akuzuarve në rastin e njohur si “Veteranët e rrejshëm”, raporton Ekonomia Online.

Kjo seancë është shtyrë për datën 14 mars në ora 10:00.

Kryetarja e trupit gjykues, Nushe Kuka-Mekaj, ka arsyetuar duke thënë se nuk plotësohen kushtet ligjore që kjo seancë të mbahet dhe se do të shtyhet për një datë tjetër

“Nuk janë krijuar kushtet me u mbajt seanca e shqyrtimit fillestar dhe seanca shtyhet për një datë tjetër”, tha  gjyqtarja Nushe Kuka-Metaj, raporton EO.

Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj e Xhavit Jashari, ishin të pranishëm në këtë seancë.

Ndërsa, ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha Faik Fazliu, kanë munguar.

Fazliu e ka pranuar ftesën,  por sipas tij, ishte e pamundur të lajmërohet në seancë sepse gjendet në një trajtim shëndetësor në Shqipëri.

Avokat Arianit Koci, mbrojtësi i Shkumbim Demalijaj tha se ftesën klienti i tij, nuk e ka pranuar dhe këtu është i pranishëm vetëm që e ka kuptuar nga të tjerët.

“Aktakuzën e ka pranuar, por ftesën jo, klienti im sot ka ardhur këtu pa ftesë”, tha ai.

Prokurori që e ka ngritur aktakuzën është Valdet Gashi.

Në shtator të vitit të kaluar, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj 12 ish-anëtarëve të Komisionit Qeveritar për Njohjen e Statusit të Veteranit të UÇK-së. Prokuroria Speciale i akuzon ata për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Gjykata ia kishte kthyer për përmirësim dhe qartësim këtë aktakuzë Prokurorisë Speciale, me arsyetimin se përshkrimi faktit i veprës penale ishte konfuz dhe si i tillë nuk lejonte mundësimin e procedimit të drejtë pa zvarritje e pengesa të procesit.

Të ngjashme