Simiq: Projektligji për FSK-në në kundërshtim me Rezolutën 1244

Prishtinë | 27 Mar 2017 | 14:00 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Listës Serbe, Slavko Simiq, ka thënë se janë kthyer në institucionet e Kosovës dhe do të marrin pjesë edhe në seancën e Kuvendit të Kosovës, këtë të enjte, “për t’i mbrojtur të drejtat e serbëve në Kosovë”.

Por, Simiq ka saktësuar se nuk do ta përkrahin Projektligjin për Transformimin e FSK-së.

“Nuk e përkrahim projektligjin për ushtrinë sepse është në kundërshtim me rezolutën 1244. Nuk dëshirojmë të marrim pjesë në proceset të cilat janë në kundërshtim me Rezolutën 1244. Nuk mendoj që është e nevojshme të hyhet në aranzhmane për transformimin e FSK-së ,në ushtri pa mbështetjen  e faktorit ndërkombëtarë të NATOS, dhe pa ndryshime kushtetuese si dhe pa mbështetjen e pakicave”, është shprehur ai, në një prononcim për gazetarët, raporton Ekonomia Online.

Ai i bëri deklaratat pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, ku Lista serbe mori sot pjesë pas disa muajsh bojkoti.

I pyetur rreth mundësisë votimit të Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, Simiq tha se për për këtë çështje duket që nuk ka konsensus ndërmjet dy partnerëve kryesorë në Qeveri, PDK-së dhe LDK-së, dhe se kur ata të vendosin, fjalën e vet do ta thotë edhe Lista Serbe.

“Sa i përket ratifikimit të marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi ne kemi qenë të përfshirë dhe do të bisedojmë si brenda Listës Serbe edhe me partnerët në koalicion mirëpo duket që nuk ka konsensus mes LDK-së dhe PDK-së pra do të shikojmë qëndrimin e tyre zyrtar dhe do të vendosim”, ka thënë ai.

Simiq, madje ka treguar edhe arsyet e kthimit të Listës Serbe në institucionet e Kosovës.

“Vendimin e kemi marrë para së gjithash në interes të popullit serb që jeton në Kosovë. Më vjen mirë që vendimin tonë e mbështeti edhe Qeveria e Serbisë. Ne dëshirojmë që të kthehemi në institucione që përmes tyre të jemi konstruktiv dhe duam që të respektohen të drejtat tona para së gjithash të formohet Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe”, ka pohuar ai.

Të ngjashme