S’ka buxhet për servisimin e aparaturave radiologjike

Prishtinë | 22 Qer 2017 | 14:25 | Nga

Në gusht të vitit të kaluar SHSKUK-ja publikoi tenderin për Servisim dhe mirëmbajtje të pajisjeve mjekësore Radiologjike-Ritender”, i ndarë në 7 lote.

Për këtë tender ofertuan 2 operatorë ekonomik, “Medical Group” dhe “Eurolab”. Por që të dy u ankuan në Organin Shqyrtues të Prokurimit, pasi SHSKUK-ja vendosi ta anulojë tenderin, shkruan Gazeta Shneta.

Anulimi u bë me arsyetimin e mungesës së buxhetit prej 600 mije eurosh, por ankesat e operatorëve u morën si të bazuara. Ky vendim i SHSKUK-së sipas OSHP-së ishte i jashtëligjshëm, pasi sipas Ligjit të Prokurimit Publik anulimi mund të bëhet tri ditë para se të bëhet hapja e tenderëve, derisa SHSKUK-ja e ka anuluar pas hapjes.

“Përfundimisht propozimi ynë për AK-në është që të gjitha lotet e këtij aktiviteti të prokurimit të kthehen në ri-vlerësim, të njoftohen ofertuesit mbi rezultatet e aktivitetit të prokurimit sipas legjislacionit dhe rregullave në fuqi, rrjedhimisht të bëhet ri-vlerësimi i ofertave sipas kriterit të paraparë ‘Tenderi i përgjegjshëm me çmimin më të ulët’, dhe sipas mjeteve të planifikuara për çdo lot veq e veq”, thuhet ndër të tjera në vendimin e OSHP-së.

Tutje në këtë vendim theksohet se SHSKUK-ja fillimisht e ka parashikuar ndarjen e mjeteve prej 600 mijë eurove për këtë tender dhe se procesverbali i hapjes rezulton se nuk është tejkaluar buxheti.
Visar Ramaj nga operatori “Medical Group”, ka akuzuar Bordin e SHSKUK-së se ka kërkuar anulimin e tenderit, pa pasur asnjë kompetencë në fushën e prokurimit.

“Veprimi tjetër kundërligjor është që anulimi i këtij aktiviteti të prokurimit është bërë nga një organ politik, pa asnjë kompetencë në fushën e prokurimit”, ka deklaruar Ramaj gjatë seancës, thuhet në dokumentin e OSHP-së.

Por anëtari i Bordit të SHSKUK-së, Shemsi Veseli, mohon të ketë ndërhyrje në tender dhe nuk pranon të flas për këtë rast duke thënë se nuk është në funksionin e tij. Megjithatë, ai e pranon se SHSKUK-ja nuk i ka 600 mijë euro për t’i dhënë për servisim të aparaturave radiologjike.

“Sivjet i kemi 900 mijë euro për servisimin e aparaturave dhe ne nuk mund t’i japim 600 mijë për radiologji sepse ku po mbesin tjerat pastaj”, ka deklaruar Veseli për Gazeta Shneta.
Veseli shton se vitin e kaluar buxheti ka qenë mbi 1 milion euro, por sipas tij, buxheti i SHSKUK-së është shkurtuar.

“Aparaturat janë shumë të vjetruara dhe ne duhet t’i përmbahemi standardeve të OBSH-së. Sipas tyre një aparaturë 5 vjeçare konsiderohet e vonshme dhe në 7 vjet duhet të dal nga përdorimi. Ndërsa ne kemi rëntgen që 30 vjet”, ka thënë Veseli.

Ai akuzon Ministrinë e Shëndetësisë për dështim në politikbërje duke thënë se buxheti i planifikuar prej 70 milionë eurosh për këtë sektor është shumë pak dhe nuk i përgjigjet nevojave reale.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme