Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka mbajtur diskutim me temën “Gjykimi i krimeve të luftës në kohë krize: Zhvillimet e fundit lidhur me Dhomat e Specializuara dhe Tribunali i propozuar për Krime Lufte në Kosovë”, raporton Ekonomia Online.
Arbëresha Loxha nga GLPS, tha se e gjithë barra për mos gjykimin e krimeve të luftës në Kosovë bie mbi kryeprokurorin e shtetit të Kosovës, misionet ndërkombëtare të cilat kanë funksionuar në Kosovë, por edhe vetë institucionet vendase.
“Legjislacioni aktual në Kosovë mundëson gjykimin e krimeve të luftës, janë gjithë mekanizmat e mundshme, barra për dështimin e mos gjykimit të krimeve të luftës në Kosovë ne mendojmë se barra bie mbi kryeprokurorin e shtetit, UNMIK-un, misionet ndërkombëtare dhe vendore”, tha Loxha.
Loxha tha se iniciativa e krijimit të Tribunalit Ndërkombëtar për gjykimin e krimeve të luftës të bëra në Kosovë nuk duhet shfrytëzohet për poena politike, por të ketë një qasje serioze.
“Çështja e krijimit të Tribunalit Ndërkombëtar duhet të mbahet larg diskutimeve politike ditore dhe agjendave politike dhe të mos shfrytëzohet për poena politike por duhet të ekzistoj një qasje serioze të krijohet një komision shtetëor profesional që do të dizajnonte procesin e gjykimeve të krimeve në Kosovë”, tha ajo.
“Ky proces duhet të përmbaj 3 faza: së pari të realizohet me sukses dokumentimi i krimeve, pastaj faza e hetimit dhe faza e gjykimit”, shtoi ajo.
Rreze Hoxha nga GLPS, tha se Ministria e Drejtësisë në fondin që ka ndarë për të mbuluar shpenzimet për të dëshmuar në Hagë nuk e ka specifikuar se për cilët persona mbulohen, dëshmitarët apo të dyshuarit.
“Gjykata Speciale ka rol të madh dhe duhet të siguroj për të zbatuar mandatin që i është dhënë përmes ligjit dhe kjo nuk iu ka lejuar për shkak të proceseve politike”, tha Hoxha.
“Ministria e Drejtësisë ka nda fond për të cilin ende nuk është transparente pse e ka nda. Kërkojmë nga Ministria e Drejtësisë me qenë më transparente në procesin e shpenzimet të fondit”, shtoi ajo.
Deputetja e VV-së dhe kryesuese e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu, tha se Gjykata Speciale po bën eksperiment me kosovarët.
Sipas saj, iniciativa e krijimit të Tribunalit Ndërkombëtar për krimet serbe të kryera në Kosovë është e pamundur pasi që Kosova nuk ka të drejtë ta bëj një gjë të tillë dhe se po luhet me ndjenjat e qytetarëve.
“Mënyra se si është krijuar Gjykata Speciale është e paprecedent se do të merret me një etni, shqiptarët, e gjitha procedurat konsiderohen si eksperiment që po i bëhen Kosovës dhe gjithnjë kur ka eksperimente të tilla merret Kosova si eksperiment”, tha Haxhiu.
“Për Tribunal pajtohem se duhet të jetë larg diskutimeve publike dhe më vjen keq sepse po luhen serish me ndjenja të familjarëve të të pagjeturve, në Kuvend atë ditë pash familjarë që kërkojnë me ngulm krijimin e një Tribunali, ata nuk janë në dijeni se Kosova nuk ka të drejtë të krijoj një Tribunal Ndërkombëtar dhe është e padrejtë se 10 vite pas luftës nuk janë trajtuar krimet siç duhet dhe është e paprecendet për një shtet qe nuk po i trajton seriozisht. E vetmja e mirë është kalimi i projektligjit që gjykon në mungesë krimet e luftës”, tha Haxhiu.
Haxhiu tha është koha që Kosova vetë duhet t’i trajtoj krimet e luftës sepse askush nuk mund ta bëj më mirë se vetë vendi.
“UNMIK-u dhe EULEX-i qëllimshëm nuk i ka hetuar krimet e luftës dhe u përfshihen vetë në afër korruptive dhe nuk bënë asgjë për gjykimin e krimeve të luftës”, shtoi ajo.
Profesori i të Drejtës Penale, Avni Puka, tha se Gjykata Speciale që bazën e ka te raporti i Dik Martit është sukses i Serbisë dhe dështimi i Kosovës.
“Kemi skepticizëm që nga fillimi që na kthen në arsyen pse është krijuar një gjykatë e tillë dhe tek raporti i Dik Martit që përmend disa probleme që shihen në praktikë që burimi për mua është pikërisht tek raporti i Martit”, tha ai.
“Gjykata Speciale duhet thënë qartë se është sukses i shtetit serb që ka bërë ndër vite me një raport të Martit që nuk përmban prova, prandaj kemi probleme ne e kemi hallin e imazhit të Kosovës që ajo na bën problem dhe paralel me një sukses të shtetit serb është një dështim i vendit tonë që nuk iu kemi përgjigjur siç duhet adresimit të pretendimeve tek raporti i Martit”, tha Puka.