A do të jetë Challandesi trajner i Kosovës pas “Euro 2020”

Prishtinë | 02 Jan 2020 | 09:19 | Nga Ekonomia Online

Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes, ka lënë të hapur mundësinë që të vazhdojë të mbetet pjesë e “dardanëve” edhe pas kampionatit Evropian “Euro 2020”.

“Kualifikimi nuk është ëndërr vetëm për ekipin, por edhe për mua si trajner. Nuk e di të ardhmen time. Në vitin 2020 mbushi 69 vjeç dhe e di se sa energji duhesh të kesh në këtë detyrë. Ndoshta mund të jetë Kampionati Evropian përfundimi i karrierës time. Kam mësuar në jetë që në shumë situata të mos planifikosh, sidomos në futboll, pasi është i paparashikueshëm”, ka thënë Challandes për “epoka e re”.

Ai shtoi se “Fokusi im është për ekipin dhe kualifikimet dhe jo për të ardhmen time, por ju duhet të jeni të sigurt se kam kënaqësi të madhe që jam pjesë e këtij ekipi”.

“Për të ardhmen time duhet të vendos, por më e rëndësishme është që ta ndiej kënaqësinë edhe të lojtarëve, dëshirën e stafit, federatës, sepse mua më pëlqen të punoj në harmoni. Nganjëherë e ke atë ndjenjën që ndoshta është koha të ndryshosh për faktin se një lojtar ka nevojë për një lloj tjetër diskutimi, tjetër mentalitet, fjalë të tjera nga trajneri. Ne po punojmë mirë së bashku, nganjëherë disa lojtarë nuk janë të lumtur kur nuk luajnë, por nuk është diçka specifike për Kosovën, është normale. Skuadra është e bashkuar, e ndiej dëshirën e lojtarëve kur ata vijnë këtu për secilën lojë, kjo është e rëndësishme për mua. Do të jetë e rëndësishme për mua edhe në momentin kur dua të vazhdoj me Kosovën, ta përfundoj karrierën, apo të vazhdoj në ndonjë ekip tjetër”, ka deklaruar Challandes.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme