Kosova pret sot Slloveninë në “Fadil Vokrri”, biletat falas

Prishtinë | 10 Mar 2020 | 09:03 | Nga Ekonomia Online

Ekipi kombëtar i vajzave të Kosovës do të dalë sot në fushën e “Fadil Vokrri” për ta zhvilluar duelin kundër Sllovenisë – ndeshje kjo e vlefshme për Grupin A të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2021.

Pas disfatës të javës së kaluar me rezultat 5:0 kundër Rusisë, Dardanët e drejtuara nga Afërdita Fazlija i kanë zhvilluar tri seanca stërvitore – të shtunën në Wiesbaden të Gjermanisë, të dielën në “Adem Jashari” në Mitrovicë, ndërsa të hënën në kryeqytet në “Fadil Vokrri”.

Dardanet do të shpresojnë që këto tri stërvitje të kenë qenë të mjaftueshme për ta marrë një rezultat pozitiv nga dueli me sllovenet sot në orën 18:00 në “Fadil Vokrri”, ku të gjithë tifozët mund të shkojnë falas t’i përkrahin vajzat e Kosovës.

Kosova niset për këtë ndeshje me shpresën për të shënuar progres, pasi që vetëm një ekip mund të kualifikohet nga i gjithë grupi dhe Kosova aktualisht radhitet në pozitën e katërt me gjashtë pikë, 12 më pak sesa Holanda që është lidere, por e cila i ka zhvilluar dy ndeshje më shumë.

Edhe Sllovenia i ka baras pikë me Kosovën, gjashtë, por e ka zhvilluar një ndeshje më shumë sesa Dardanet.  Përderisa Kosova ka arritur t’i shënojë vetëm katër gola në këto kualifikime dhe i ka pranuar 11, sllovenet kanë goldallim pozitiv me 14 gola të shënuara dhe 10 të pranuara.

Për ndeshjen kundër Sllovenisë do të mungojnë Besiana Reçica dhe Flaka Asllanaj, të cilat kanë obligime të provimeve shkollore në vendet ku jetojnë, derisa në kombëtare pritet të debutojë Edona Kastrati.

Gjatë këtyre dy ditëve përzgjedhësja Afërdita Fazlija me asistentët e saj, Veton Çitaku, Sanije Krasniqi e Besart Ismajli, kanë punuar në aspektin psikologjik me ekipin, në mënyrë që motivi për këtë ndeshje të jetë në nivelin e duhur.

Po ashtu, rëndësi e madhe iu ka kushtuar edhe rreshtimit të skuadrës, sidomos në repartin e mbrojtjes, duke pasur parasysh pësimin e lehtë të golave në ndeshjen e kaluar./ge

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme