Plani i FFK-së për vazhdim të sezonit mund të mos realizohet

Prishtinë | 30 Pri 2020 | 08:35 | Nga Ekonomia Online

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka dërguar një plan në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), për vazhdim të aktiviteteve të saj.

Në letrën dërguar MKRS-së, të martën, gazeta merr vesh se FFK-ja mendon se nga data 10 maj, klubeve t’u lejohet rifillimi i stërvitjeve në grupe të vogla duke respektuar masat për parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19; dy ndeshjet gjysmëfinale të Kupës të luhen më 24 maj; kampionati të vazhdojë më 30 maj.

“Me këtë dinamikë, do të mund të kryhej kampionati deri më 20 korrik, por gjithçka varet edhe nga situata në terren”, thuhet ndër të tjera në letrën e FFK-së, dërguar në adresë të MKRS-së.

Por, plani i FFK-së për vazhdim të sezonit mund të mos realizohet. Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka konfirmuar se aktivitetet sportive në vend do të rikthehen në fazën e tretë, fazë e cila fillon më 15 qershor.

“Aktivitetet sportive fillojnë në fazën e tretë”, ka thënë Vitia në një intervistë.

Ministri Vitia, më herët pati deklaruar në një konferencë për media se masat mund të hiqen pjesërisht pas 4 majit, por jo edhe ndonjë datë se kur ato mund të hiqen tërësisht. Me këtë kuptohet se kampionati i Kosovës mund të mos rifillojë gjatë muajit maj. Por, sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, ka thënë se vazhdimi i sezonit pas 15 qershorit nuk bën në asnjë mënyrë. Sipas tij, është kohë e papërshtatshme dhe e pamundur për të përfunduar garat në afatin e caktuar nga UEFA, e që është 19-20 korriku.

“Ne po presim të marrin ndonjë vendim zyrtar dhe të shohim për hapat e tjerë, sepse ajo është vetëm një deklaratë. Për ne është kohë e papërshtatshme dhe e pamundur të përfundojë në afatin e caktuar nga UEFA. Të martën ne e kemi dërguar një shkresë në Ministri të Kulturës, Rinisë dhe Sportit duke bërë kërkesë që të fillojmë më herët, sepse çdo vonesë do të bëhej për ne situata më e komplikuar. Do të ishte vështirë të zhvilloheshin 11 xhiro plus ndeshjet e Kupës, nëse do të mbetej si vendim që masat lehtësuese për sportin të ishin nga 15 qershori”, ka thënë Salihu të mërkurën për gazetën.

Salihu: Ndërprerja do të kishte lënë pasoja të mëdha ligjore e financiare

Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA) preferon që të vazhdohen garat për të përfunduar stinori aktual në fushë. Madje, federatave evropiane të futbollit, në mesin e tyre edhe të Kosovës, UEFA u ka dhënë afat deri më datën 25 maj për të njoftuar për planet e tyre rreth rifillimit të kampionateve vendore. Edhe FFK-ja është e vendosur ta çojë deri në fund edicionin e pezulluar muajin e shkuar shkaku i përhapjes së pandemisë COVID-19. Sekretari i FFK-së, Salihu, ka theksuar se organet shtetërore duhet ta kuptojnë edhe rëndësinë që ka sporti. Ai ka shtuar se situata është më e komplikuar më shumë se që mendojnë organet e shëndetësisë.

“Duhet ta kuptojnë se futbolli nuk është manifestim sportiv ose rekreativ, por ka pasoja të mëdha. Situata është më e komplikuar se që e mendojnë ata. Do të kishte pasoja të mëdha, duke filluar prej atyre ligjore e deri në financiare”, është shprehur Salihu.

Po të mërkurën ka pasur edhe një takim në mes të kryetarit të FFK-së dhe mikrobiologut, Lul Raka, i cili ia ka bërë me dije se sporti është lënë për fazën e tretë për shkak të rrezikut nga infektimi me koronavirus.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme