Selimi: Klubet e boksit rrezikojnë shuarjen, shkak gjendja e mjerueshme

Prishtinë | 06 Jan 2018 | 14:23 | Nga

Edhe pse FboxK është në mesin e federatave më të mira në rajon, klubet e saj po rrezikojnë shuarjen, pasi ato janë në gjendje të mjerueshme, për shkak se nuk e kanë mbështetjen e duhur nga komunat. Kështu tha në një intervistë ekskluzive për Kosova.info, kryetari i Federatës së Boksit të Kosovës, Ramadan Selimi.
Ai të vetmen shpresë e sheh te Ligji për Sponsorizim të Sportit.

Kosova.info: Secila disiplinë e sportit veç emrit zyrtar, njihet edhe me një emër tjetër. Shembull Atletika, njihet si mbretëresha e sportit. Si quhet ndryshe loja e boksit?

Selimi: Boksi njihet edhe si Sport Fisnik.

Kosova.info: Cilat janë kushtet në të cilat zhvillojnë lojërat boksierët kosovarë?

Selimi: Kushtet janë të mira përpos atyre financiare sepse kemi palestra dhe infrastrukturë që mund të themi janë të mjaftueshme për tu zhvilluar garat si ato vendore dhe ndërkombëtare.

Kosova.info: Sa ka mbështetje nga institucionet gjegjëse Federata e Boksit të Kosovës?

Selimi: Sa i përket klubeve të boksit ato janë në gjendje të mjerueshme dhe është rrezik që të shuhen sepse klubet ku ato zhvillojnë aktivitetet e tyre nuk e kanë mbështetjen e duhur nga komunat. Ndërsa ne si federatë të vetmen mbështetje e kemi Ministrinë e Sporteve dhe KOK! Urojë që Ligji për Sponsorizimin e sportit në fund të këtij muaj të fuqizohet pasi që tani është në dëgjim publik, dhe me pastaj do ta kemi më lehtë për funksionimin e federatës, për të thithë mjete nga kompanitë e ndryshme. Siç po shihet ministria dhe qeveria e kanë një disponim të mirë për tu fuqizua ky ligj. Të shohim në të ardhmen.

Kosova.info: Nga secila disiplinë e sportit, kemi së paku nga një sportist/e me të cili(e)n krenohemi. A kemi të tillë edhe nga boksi?

Selimi: Kosova ka pas në të kaluarën boksier që kanë garua në ish sistemin e jugosllav dhe kanë sjellë medalje olimpike botërorë e kështu me radhë, por edhe sot kemi rezultate të mira e sidomos nga boksi femëror që kemi medaljen e artë dhe të argjendtë nga Kampionati Evropian, pastaj të argjendtën ne Kampionatin Botëror (Donjeta Sadiku) dhe shpresoj se do kemi edhe medalje në LO-Tokio-2020.

Edhe me sportistët meshkuj nuk jemi keq dhe mund të konsideroj se jemi në një nivel me shtetet e rajonit.

Kosova.info: A kemi boksierë (referë) kosovarë të cilët ndajnë drejtësi në lojërat ndërkombëtare të boksit?

Selimi: I vetmi refer ndërkombëtar që ka dy yje dhe që ndan drejtësi në disa meqe ndërkombëtare. Ai është referi Latif Demolli.

Shpresojmë në të ardhmen se do të organizojmë seminare edhe për refer dhe të i pajisim me licenca ndërkombëtare siç e kemi bërë me licencimin e trajnerëve!

Kosova.info: Ku është e renditur federata jonë në ranglistën evropiane dhe atë botërore?

Selimi: Federatat e Aibes dhe Eubc nuk e di që kanë ndonjë ranglistë për federata siç e kanë sportet tjera, por FboxK është në mesin e federatave më të mira në rajon.

Kosova.info: Nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, njërën nga lëndët mësimore e kanë edhe Edukatën Fizike ku mësojnë për sporte ndryshe, por jo edhe për boksin. A mendoni se kjo gjini e sportit duhet të jetë pjesë e mësimit në kuadër të kësaj lënde?

Selimi: Ne disa herë kemi debatuar në federatë e nëe takime të ndryshme nëpër institucione sportive, se nëpër shkollat tona të shtohet edhe një orë mësimi si ka qenë më parë nga dy në tre orë mësimi për orën e edukatës fizike në shkollat fillore, dhe nëse kjo bëhet atëherë ka vend edhe për lëndën e boksit që të demonstrohet më shumë tek fëmijët.

Kosova.info: Mediat e shkruara dhe elektronike sa i japin hapësirë boksit?

Selimi: Mediat duhet që t’i japin hapësirë sportit vendor më shumë sepse ato në njëfarë mënyre edhe kontribuojnë në këtë drejtim për masovizimin e të rinjve në sport.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme