ShBA-ja fiton “dramën” ndaj Turqisë dhe kalon tutje

Prishtinë | 04 Sht 2019 | 09:44 | Nga Ekonomia Online

Kampionja në fuqi, ShBA-ja, ka fituar ndeshjen dramatike ndaj Turqisë duke siguruar kështu kalimin tutje nga Grupi E i Kampionatit botëror të basketbollit që po mbahet në Kinë.

Ndeshja u vendos pas vazhdimit prej 5 minutash, ndërsa ShBA-ja fitoi me rezultatin 93:92.

Në të vërtetë, Turqia ishte duke kryesuar 92:91, kur kishin mbetur nëntë sekonda pa mbaruar shtesa, por humbi katër gjuajtje të lira, për të lënë kështu ShBA-në në lojë.

Jayson Tatum kapi topin pas gjuajtjes së katërt të lirë që u humb nga Cedi Osman dhe nxitoi, duke pasuar për Khris Middletonin që u faulua. Middleton realizoi të dy gjuajtjet duke dërguar ShBA-në në epërsi.

Ndërkohë Ersan Ilyasova dështoi në tentimin e fundit për tri pikë dhe ShBA-ja shënoi fitoren e 21-të rresht në kampionate botërore. Middleton ishte koshashënuesi më i mirë te amerikanët me 15 pikë, ndërsa Kemba Walker realizoi disa gjuajtje vendimtare në shtesë dhe mbylli ndeshjen me 14 pikë.

Duke pasur 15 pikë disavantazh në çerekun e dytë, Turqia arriti të rikthehej furishëm, ndërsa ishte e udhëhequr nga Ilyasova që shënoi 23 pikë e 14 kërcime.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme