Shkëlqimi i Lisit nuk ndali rënien e Kosovës

Prishtinë | 05 Dhj 2018 | 09:25 | Nga Ekonomia Online

Lis Shoshi shfaqi lojë të madhe ndaj Rumanisë. Kishte bindshëm shifrat më të mira te Kosova edhe ndaj Maqedonisë.

Por paraqitjet e shtatlartit nuk ishin të mjaftueshme që Kosova të shmangte humbjet në dy ndeshjet e kaluara dhe kështu përfundimisht të humbë gjasat që prej raundit të dytë parakualifikues të kalojë në kualifikimet për “Eurobasket 2021”, shkruan sot Koha Ditore.

Kosova do të ketë rast tjetër në raundin e tretë parakualifikues, ndërsa shpresat janë që Shoshi të ndihmohet më shumë nga lojtarët e tjerë e po ashtu që në përbërje të jetë edhe një basketbollist amerikan.

Kosova të enjten pësoi me shifrat 88:83 nga Rumania në Oradea, ndërsa të dielën në Gjevgjeli humbi nga Maqedonia me rezultatin 78:68. Ndaj rumunëve, Shoshi kishte 29 pikë e 18 kërcime, përkatësisht efikasitet prej +35, derisa efikasiteti i lojtarit më të mirë të Rumanisë ishte +16.

Ndaj Maqedonisë, Shoshi kontribuoi me 18 pikë e 15 kërcime. Efikasiteti i tij ishte +24, ndërsa +28 kishte efikasitet lojtari maqedonas Bojan Trajkovski. Gëzim Morina me +17 ishte lojtari i dytë më i mirë i Kosovës ndaj Maqedonisë, nëse për bazë merren vetëm të dhënat statistikore.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme