Shqiptarët e rivales së ardhshme të Kosovës

Prishtinë | 20 Dhj 2019 | 08:47 | Nga Ekonomia Online

Arbër Zeneli vlerësohet prej futbollistëve kryesorë të Kosovës. Ai është në grupin e lojtarëve në të cilët tifozët i bazojnë shpresat për ndeshjet e plejofit të Ligës së Kombeve të UEFA-s.

Zeneli tashmë ka shkruar histori me përfaqësuesen e Kosovës në futboll, por ka hisenë e tij të vogël edhe në historinë e lavdishme të përfaqësueses së Suedisë, kundërshtares së ardhshme të Kosovës. Në të vërtetë, janë disa futbollistë shqiptarë që kanë dhënë kontributin e tyre në përfaqësueset e Suedisë në futboll, shkruan sot “Koha Ditore”.

Për shkak të komunitetit të madh shqiptar që jeton në Suedi, numri i futbollistëve shqiptarë në klubet suedeze ka qenë i madh dhe vazhdon të jetë i madh. Më të mirët kanë depërtuar deri në ekipet përfaqësuese të Suedisë.

Kosova luan me Suedinë më 12 janar në Doha të Katarit. Suedia vazhdimisht organizon ndeshje miqësore në janar, ku teston lojtarë që janë afër përfaqësueses A, kryesisht të klubeve vendore.

Në janar nuk ka termin të FIFA-s për ndeshje të përfaqësueseve, por Suedia, njëjtë si disa përfaqësuese të tjera, shfrytëzon momentin kur klubet skandinave janë ende në pushim dhe grumbullon kandidatë për përfaqësuese. Edhe Kosova pritet t’ua japë rastin lojtarëve që vlerësohet se janë afër përfaqësueses. Nuk përjashtohet mundësia që të grumbullohen edhe reprezentues të rregullt, por jo shumë, e po ashtu pritet të ketë vend në ekip për lojtarë që karrierën e zhvillojnë në Kosovë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme