Xhaka tregon për telashet pas transferimit tek Arsenali

Prishtinë | 21 Jan 2017 | 10:46 | Nga

Kur pranoi thirrjen e parë nga Arsene Wenger, Granit Xhaka tregon se ka mbetur i befasuar dhe mezi ka nxjerrë disa fjalë gjatë asaj bisede. Por, më pas gjithçka rrodhi si ujë.

Transferimi u krye gjatë verës që shkoi dhe Borussia Moenchengladbachu fitoi 45 milionë euro nga shitja e kosovarit.

Por, këtu nuk mbaron gjithçka. Këtu në fakt, nis ajo që Xhaka e priste – koha e gjatë për t’u përshtatur në Premier League, transmeton Koha Ditore.

“Të duhet kohë për t’u përshtatur, pasi liga është më e shpejtë dhe më fizike në krahasim me ligat e tjera të mëdha të Evropës”, thotë Xhaka, i cili në muajt e parë tek Arsenali është shfrytëzuar pak nga Wengeri.

Por, me kalimin e kohës, Xhaka ka filluar të fitojë besimin e francezit. Tash, inkuadrimet në lojë nga banka e rezervistëve janë të rralla për Xhakën. Ai është titullar në dhjetë ndeshjet e fundit në të gjitha garat.

“Më është nevojitur kohë të adaptohem sikurse çdo futbollisti tjetër në një klub dhe shtet të ri. Wenger ka vepruar në atë mënyrë, pasi më ka motivuar për të punuar më shumë në mënyrë që të futem në përbërjen e parë”, deklaroi mesfushori 24-vjeçar.

Muajt e parë tek Arsenali ishin pasqyrë e muajve të parë të kohës së tij në Gjermani, pasi Xhakës i është nevojitur kohë për t’u përshtatur edhe te Gladbachu, ekip që pagoi 8.5 milionë euro për transferimin e tij nga Baseli.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme