Ekonomia Online
FUNDIT

Fetoshi: Vuçiqi po ushtron presion ndaj Listës Studentore për të ruajtur ndikimin politik

Fetoshi: Vuçiqi po ushtron presion ndaj Listës Studentore për të ruajtur ndikimin politik

Drejtori i Institutit “Octopus”, Arben Fetoshi, ka vlerësuar se videomesazhi i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dy ditë para konstituimit të kuvendit të ri, është përpjekje për të delegjitimuar fituesit e zgjedhjeve dhe për të ushtruar presion ndaj Listës Studentore.

Fetoshi ka shkruar se Vuçiqi po përpiqet ta mbulojë dëshpërimin me ironi dhe përçmim ndaj të nominuarit për kryetar të kuvendit, Aleksandar Çupiq, duke përdorur referenca historike dhe nacionaliste.

“Arkitekti i propagandës që “viktimizohet” nga ‘çmenduria propagandistike’ e fituesve, jo vetëm për ta mbrojtur ‘grigjën’ e tij politike, por edhe pushtetin real në Serbinë “studentore”. Përmes një videomesazhi në X (15.11.2026) dy ditë para konstituimit të kuvendit të ri, Aleksandër Vuçiq tenton ta mbulojë dëshpërimin me ironi, duke përqeshur të nominuarin për kryetar, Aleksandër Çupiq, me një paralele nga “revolucioni” i vitit 2000 dhe ‘marrëzitë’ që do ta “rrotullonin Nikolla Pashiqin në varr””, ka shkruar ai.

Fetoshi ka theksuar se Vuçiqi, duke i cilësuar fituesit e zgjedhjeve si “llumi shoqëror”, po përpiqet t’i paraqesë ata si të delegjitimuar dhe të mobilizojë mbështetësit e tij kundër tyre.

“Ndërsa i quan fituesit e zgjedhjeve “llumi shoqëror” që do të kalojë, ai i fton serbët “normalë dhe të ndershëm” për forcë e unitet, që t’i kthejnë “atje ku e kanë vendin”. Strategu i manipulimit të informacionit dhe zgjedhjeve, i cili për gati 15 vjet instaloi kontroll të plotë mbi mediat dhe institucionet, aplikon ‘përmbysjen propagandistike’ për t’i delegjitimuar fituesit e zgjedhjeve si “gënjeshtarë e hakmarrës”, derisa paralajmëron mobilizim “kundër kësaj të keqeje”, pas kuvendit të partisë", ka shkruar ai.

Sipas tij, videomesazhi ka dy dimensione: mbrojtjen e ndikimit të Vuçiqit dhe ushtrimin e presionit ndaj Listës Studentore.

“Videomesazhi i tij ka dy dimensione komunikimi: e para, si ‘mekanizëm mbrojtës’ për tentakulat e tij dhe e dyta, si ‘mjet presioni’ ndaj Listës Studentore.”

Ai ka vlerësuar se përmes komunikimit ironik dhe përçmues, Vuçiqi synon ta paraqesë humbjen si të përkohshme dhe ta shndërrojë viktimizimin në mobilizim politik.

“Komunikimi ironik dhe përçmues, duke e kornizuar humbjen si “eufori kalimtare”, nënkupton kthimin e “viktimizimit” në mobilizim dhe mobilizimin në rikthim politik. Ky është qëllimi i talljes me profesor Çupiqin, jo për diskreditimin e tij, por të modelit që përfaqëson Lista Studentore", ka shkruar ai.

Fetoshi ka thënë se shqetësimi i Vuçiqit nuk lidhet vetëm me humbjen e zgjedhjeve, por edhe me mbijetesën e modelit të tij politik, të cilin e ka cilësuar si hibrid.

“Dëshpërimi i Vuçiqit s’ka të bëjë vetëm me humbjen e zgjedhjeve, por edhe me mbijetesën e modelit të tij hibrid. Sepse, një Serbi që vazhdon minimin ndaj Kosovës dhe rreshtimin me Rusinë, nuk mund të demokratizohet, dhe një Serbi që nuk demokratizohet, mund ta rifuqizojë shpejt atë", ka shkruar ai.

Ai ka shtuar se referencat historike dhe nacionaliste përdoren për të krijuar perceptimin e armiqve të brendshëm dhe për të nxitur mobilizim rreth narrativave të interesit kombëtar.

“Në këtë funksion përdor referenca historike e nacionaliste, jo thjesht për të projektuar “paaftësinë” apo “gabimet nga e kaluara”, por edhe “armiqtë e brendshëm” të Serbisë", ka shkruar ai.

Sipas Fetoshit, videomesazhi duhet parë edhe si paralajmërim për kontrollin e narrativës politike në Serbi dhe presionin që mund t’i bëhet Listës Studentore.

“Në këtë kuptim, videomesazhi është një paralajmërim për kontrollin mbi narrativën e Serbisë, duke shtuar presionin për ‘interesin kombëtar’, të definuar me Kosovën dhe Rusinë. Në këtë kuptim, fati i Listës Studentore si një formacion heterogjen, do të varet nga qasja ndaj këtij “presioni", ka shkruar ai.

Ai ka vlerësuar se vazhdimi i përdorimit të narrativave të njëjta strategjike mund t’i ndihmojë SNS-së të mobilizohet për rikthim politik, duke përmendur edhe rastin e këngës “Oj Kosovo, Kosovo” në Forumin e Zgjerimit të BE-së në Bruksel.

“Sa më shumë që do të fshihen prapa Kushtetutës së Serbisë dhe takimeve me Rusinë në emër të ‘interesit strategjik’, aq më pak do të ketë kuptim rotacioni i pushtetit në Serbi. Sa më gjatë që do t’i përdorin narrativat e njëjta strategjike, si skandali i fundit me këngën “Oj Kosovo, Kosovo” në Forumin e Zgjerimit të BE-së në Bruksel, aq më shumë do të mobilizohet SNS-ja për rikthim. Sepse, Kosova është testi dhe “studentët” s’mund ta tejkalojnë “Goebbels-in” e populizmit dhe strategjisë hibride serbe”, ka shkruar ai.

Të ngjashme