Një aksident i rëndë trafiku ka tronditur mërgatën shqiptare dhe Komunën e Rahovecit, pasi tre persona humbën jetën të dielën pasdite në Gjermani, mes tyre edhe dy të rinj nga Kosova.
Mediat gjermane japin detaje për aksidentin tragjik ku vdiqën dy të rinj nga Rahoveci

Ngjarja tragjike ndodhi në rrugën B311, pranë qytetit Erbach, në landin Baden-Württemberg, ku në një përplasje zinxhirorë u përfshinë gjithsej nëntë automjete, transmeton Express.
Dy viktimat shqiptare janë identifikuar si Leart Morina nga fshati Sopniq dhe Berhan Zeka nga Pataqani i Poshtëm, të dy nga Komuna e Rahovecit. Lajmin e hidhur për ndarjen e tyre nga jeta e ka konfirmuar edhe kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, i cili u ka shprehur ngushëllime të sinqerta familjeve Morina dhe Zeka.
Sipas raportimeve të mediave gjermane, dy drejtuesit e mjeteve, të moshës 18 dhe 19 vjeç, kanë ndërruar jetë menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa një pasagjer 26-vjeçar ka vdekur disa orë më vonë në spital, duke mos u mbijetuar plagëve të rënda. Po ashtu, nga ky aksident mbetën të lënduar edhe tre persona të tjerë, përfshirë një 26-vjeçare e cila ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
















