Ekonomia Online
FUNDIT

Urdhërarrest për Radoiçiqin, dyshohet se është arratisur në Rusi

Urdhërarrest për Radoiçiqin, dyshohet se është arratisur në Rusi

Gjykata e Lartë në Beograd ka lëshuar urdhërarrest dhe ka caktuar masën e paraburgimit për 30 ditë për ish-nënkryetarin e Listës Serbe dhe organizatorin e sulmit në Banjskë të Zveçanit, Milan Radoiçiq.

Në një përgjigje për “N1”, gjykata ka konfirmuar se urdhërarresti dhe vendimi për paraburgim janë lëshuar pasi Radoiçiqi nuk është paraqitur në stacionin policor më 15 nëntor.

Radoiçiqi ishte urdhëruar nga gjykata në Beograd që të paraqitej në polici dy herë në muaj, më datën 1 dhe 15. Ai ishte paraqitur më 1 nëntor, por nuk ishte paraqitur në datën 15. Radoiçiqit më herët i ishte konfiskuar edhe pasaporta.

Mediat në Serbi kanë raportuar se Radoiçiqi është larguar drejt Rusisë pas rezultateve të zgjedhjeve, në të cilat partia e Aleksandar Vuçiqit pësoi humbje përballë Listës së Studentëve. Radoiçiqi u pa për herë të fundit në publik para zgjedhjeve të 25 tetorit, kur mori pjesë në tubimin parazgjedhor të partisë së Vuçiqit.

Radoiçiqi është në kërkim edhe nga INTERPOL-i për sulmin në Banjskë, me kërkesë të Kosovës përmes UNMIK-ut.

Në sulmin e vitit 2023 në Banjskë u vra togeri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Pesë ditë pas sulmit, Radoiçiqi, përmes avokatëve të tij, kishte pranuar se e kishte organizuar sulmin. Në të njëjtën kohë, ai kishte dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetarit të Listës Serbe.

Kryeministri Albin Kurti vazhdimisht ka bërë thirrje që Serbia duhet ta dorëzojë Radoiçiqin tek autoritetet e Kosovës.

Të ngjashme