Ekonomia Online
FUNDIT

Zelensky: Evropa të jetë vigjilente ndaj diskutimeve SHBA-Rusi për arkitekturën e re të sigurisë

Zelensky: Evropa të jetë vigjilente ndaj diskutimeve SHBA-Rusi për arkitekturën e re të sigurisë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u bëri thirrje të enjten vendeve evropiane të tregojnë vëmendje të veçantë ndaj diskutimeve mes Moskës dhe Washingtonit për krijimin e një arkitekture të re të sigurisë në Evropë.

“Evropa duhet të jetë vërtet e vëmendshme kur amerikanët dhe rusët diskutojnë këtë çështje. Nuk bëhet fjalë vetëm për garancitë e sigurisë për Ukrainën, por në të vërtetë për një lloj kuadri të ri sigurie mes Evropës dhe Rusisë”, deklaroi Zelensky nga Dublini, ku po merr pjesë në një samit të liderëve evropianë.

Paralajmërimi i presidentit ukrainas vjen në një kohë kur negociatorët amerikanë Jared Kushner dhe Steve Witkoff mbërritën të enjten në Moskë, ku pritet të takohen me presidentin rus Vladimir Putin, pas bisedimeve të paqes mes delegacioneve ruse dhe ukrainase në Abu Dhabi, me ndërmjetësimin e SHBA-ve.

Ideja e Washingtonit për krijimin e një kuadri të ri të sigurisë në Evropë ka shkaktuar shqetësim te vendet evropiane.

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, deklaroi në Dublin se Evropa nuk ka nevojë të krijojë nga e para një sistem sigurie, pasi një arkitekturë e tillë ekzistonte dhe u dobësua gradualisht, përpara se të shkatërrohej përfundimisht nga pushtimi rus i Ukrainës.

Edhe shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, theksoi se përparësi duhet të jetë ndalimi i luftës në Ukrainë, përpara çdo diskutimi më të gjerë mbi sigurinë e kontinentit.

“Prioriteti duhet të jetë arritja e një armëpushimi dhe më pas e një marrëveshjeje paqeje. Vetëm pas kësaj mund të zhvillohen diskutime për arkitekturën më të gjerë të sigurisë në Evropë”, deklaroi Kallas.

Ajo paralajmëroi gjithashtu se zhvendosja e vëmendjes drejt një arkitekture të re të sigurisë evropiane rrezikon të largojë fokusin nga objektivi kryesor: ndalimi i vrasjeve në Ukrainë.

Ndërkohë, me nismën e Francës, rreth 40 vende të Evropës së zgjeruar, përtej kufijve të Bashkimit Evropian, pritet të përcaktojnë të enjten parimet kryesore të sigurisë së tyre në një dokument të përbashkët.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, e cilësoi këtë deklaratë si një hap të rëndësishëm, në një kohë kur, sipas tij, disa aktorë dëshirojnë që Evropa të përjashtohet nga diskutimet që lidhen me sigurinë dhe stabilitetin e saj.

Të ngjashme