Stavileci: “Trepça” Shoqëri Aksionare me 80% të aksioneve në pronësi të Qeverisë

Prishtinë | 05 Tet 2016 | 16:45 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci ka deklaruar se projektligji për Trepçën ka për qëllim krijimin e infrastrukturës ligjore e cila synon një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik përmes hapjes së rrugës për investime, rritjen e vlerës së aseteve, dhe avancimin e kapitalit tekniko-teknologjik si parakusht për vitalizmin e “Trepçës”, jetike për mirëqenien sociale të punëtorëve dhe interesin e përgjithshëm publik.

Këto komente Stavileci i bëri në mbledhjen e sotme të Qeverisë, duke prezantuar Projektligjin për “Trepçën”, ku theskoi se dispozitat e këtij projektligji përcaktojnë transformimin e disa njësive biznesore të Ndërmarrjes Shoqërore “Trepça” në Shoqëri Aksionare me ç’rast Qeveria e Republikës së Kosovës do të jetë pronar i 80 për qind të këtyre aksioneve, ndërsa punëtorët pronarë të 20 për qind të aksioneve. “Më detajisht dhe më saktësisht nenet tjera të kapitullit që bënë fjalë për aksionarët, i rregullojnë këto çështje”, tha ai.

Sipas tij, ky projektligj trajton nëpërmjet kapitujve të tij, edhe këto çështje specifike:  resurset minerale, bartja e pasurive të drejtave dhe burimeve njerëzore, statusin, regjistrimi dhe qeverisja e Shoqërisë Aksionare, mundësia e formimit edhe të njësive tjera biznesore, mundësia e pjesëmarrjes së sektorit privat, çështje sociale dhe raportin me komunitetin, pretendimet e kreditorëve si dhe dispozitat kalimtare dhe përfundimtare.

“Natyrisht që ne jemi në kuadër të një procesi i cili nuk përfundon me kaq. Ne qysh në fillim kemi marrë secili prej institucioneve detyrat tona: komisioni parlamentar trajtimin e disa rasteve studimore; Agjencia Kosovare e Privatiizmit përgatitjen e Studimit të Fizibilitetit; dhe që pastaj hap rrugë pra për Strategjinë Zhvillimore të “Trepçës”. Edhe në ligj e kemi precizuar që gjashtë muaj më së voni nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Qeveria së bashku me Bordin Mbikëqyrës të Ndërmarrjes, do t’ia prezantojnë Kuvendit për aprovim Strategjinë Zhvillimore të saj”, tha ai.

Më tej Stavileci tha se duke e ditur që kjo Ndërmarrje nuk është një Ndërmarrje e thjeshtë dhe karakteri i punëve që janë aty ka  një karakter shumë komercial, atëherë kemi dashur që shumë më shumë t’i jepin trajtën e një Shoqërie Aksionare e cila i hap në të ardhmen rrugë investimeve,  po ashtu edhe tek pjesa ku flet për punëtorët një lloj kontributi i cili lidhet edhe me performancën e tyre në bazë të njësive biznesore ku ata janë të punësuar. Pra, kemi një ndërmarrje e cila në trajtën e një Shoqërie Aksionare, e cila i ka të definuara shumë mirë me parimet e qeverisjes korporatave, dhe të cilat janë të përfshira edhe këtu.

“Jemi munduar pra që në kuadër të kapitullit të qeverisjes sa më mirë t’i specifikojmë funksionet e dy strukturave kryesore organizative të nivelit më të lartë në hierarkinë e kësaj Shoqërie, Bordit Mbikëqyrës dhe Bordit Menaxhues, dhe natyrisht që në shumë çështje tjera mbetet të precizohen nëpërmjet Statutit të saj”, tha kreu i MZHE-së.

Ministri Stavileci vlerësoi se një kapitull shumë i rëndësishëm është ai i mundësisë së pjesëmarrjes së sektorit privat, që qysh tani ky aset i rëndësishëm të nis rrugën e  saj të revitalizimit dhe të jetë i hapur për investime të ndryshme. “Ne e dimë që sektori minerar në përgjithësi, dhe fushat e veçanta të cilat i trajton në këtë rast edhe mineralet dhe xehet “Trepça”, sot për sot në botën bashkëkohore i kemi disa modele të investimeve të cilat janë të preferuara. Ne edhe këto i kemi paraqitur, pra katër forma të mundshme të tyre: partneriteti publiko-privat; investimet private direkte; investimet e përbashkëta; po ashtu meqenëse kemi të bëjmë me një lloj shoqërie të tillë, edhe mundësia e shitjes dhe emetimit të aksioneve”, tha ai.

I pari i MZHE-së, nënvizoi se një tjetër risi është edhe kapitulli për çështje sociale dhe komunitetin. “Pra, kemi bërë edhe këtu në kuadër të principeve që kanë sot korporatat gjithandej, ta fusim konceptin e ri të përgjegjësisë sociale. Po ashtu edhe një përqindje e caktuar, e kemi si propozim, e rentës minerare, të jetë e dedikuar për komunitetin, në mënyrë që të mundësoj investime në fushën e infrastrukturës, mbrojtjes së mjedisit, shëndetësisë, arsimit dhe sportit”, ka thënë Stavileci.

Të ngjashme