Me 14 parti, 5 zëvendës-kryeministra, 21 ministri e 63 zëvendës-ministra në përbërje të saj, Qeveria Haradinaj është rast i qartë i asaj që politikologu Dodd e ka quajtur “surplus government”.
Sipas Dodd, “surplus government” është një qeveri e cila përmban më tepër parti dhe personel se që është optimalisht e nevojshme për qeverisje. Për shkak të tendencës për fraksionalizim të brendshëm, këto qeveri kanë stabilitet të vogël politik dhe zakonisht nuk kanë jetë të gjatë.
Por, nuk është jokoherenca politike ose programore ajo që do t’i kushtojë këtij koalicioni, sepse ai nuk është kusht i formimit të saj.
Nga pikëpamja e rrjeteve klienteliste, po shohim se Kosova po kalon nga një strukturë vertikale të organizimit klientelist, ku patronazhi është i organizuar në formë hierarkike, në një strukturë të patronazhit horizontal në rrjet të gjerë me padronë të shumtë, kurse kontrolli i tyre nga qendra është më i vogël.
Në epokën e sundimit të PDK-së, struktura politike dhe ajo klienteliste korrespondonin së bashku sepse të dyja ishin të përqendruara në duart e lidershipit të saj.
Tani po kalojmë në një situatë ku hierarkia politike nuk korrespondon më me strukturën klienteliste, pra me një qendër që ka më pak kontroll mbi pretendentët e rentave të pushtetit, që tani janë përveç se të ndryshëm në përkatësi partiake, edhe më të mëdhej në numër.
Ky është edhe një faktor – dhe në rastin e Kosovës ndoshta kryesori – për nxitjen e pakënaqësive dhe konflikteve brenda koalicionit qeverisës.
(Autori është specializant në Ekonomi Politike dhe është profesor-asistent në Departamentin e Shkencës Politike në Universitetin Virginia Tech në ShBA. Ka doktoruar në Sociologji në Universitetin e Miçigenit. Shkruan kryesisht për politikat zhvillimore, çështjet sociale dhe ekonomike)