Ka kohë që ndihet nevoja për realizimin e një projekti të karakterit enciklopedik-shkencor në formë të leksikonit, për një tablo të plotë shkencore për vendbanimet, retrospektivën historike, gjendjen e sotme dhe perspektivën e zhvillimit të tyre hapësinor-fizik, demografik dhe funksional.
Seksioni i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës mori përsipër të hyjë në këtë projekt serioz afatmesëm, i vetëdijshëm për vështirësitë në mbledhjen e të dhënave, fakteve shkencore dhe informatave relevante nga terreni, dokumentacioni dhe dijet nga fusha të ndryshme, shkruan sot Koha Ditore.
Është i njohur fakti se Kosova nuk ka traditë të gjatë në hartimin e veprave kolektive të karakterit enciklopedik, por edhe botimeve të tjera, që kërkojnë njerëz të kualifikuar dhe mjete. Në vitin 2008, Akademia i hyri punës në hartimin e Monografisë Kosova dhe e finalizoi në gjysmën e vitit 2011 – doli botimi në shqip si një punë kolektive (me rreth 60 autorë nga të gjitha fushat dhe trevat shqiptare), dhe pas një kohe doli edhe botimi në anglisht – një version i kondensuar.
Projektin e drejtuan akad. Rexhep Ismajli dhe akad. Mehmet Kraja. Ndërkaq, pas një pune intensive të më se 500 autorëve, pikërisht para një viti doli nga shtypi edhe “Fjalori Enciklopedik i Kosovës” në dy vëllime, një nga projektet më të mëdha të Akademisë dhe të Kosovës, që do të jetë paraprijës për hartimin e Enciklopedisë së Kosovës, pastaj edhe të Enciklopedisë Shqiptare. Projektin e drejtoi akad. Mehmet Kraja. Me këto ndërmarrje u pa se puna ekipore mund të funksionojë edhe te ne brenda ndarjes adekuate të saj dhe me një organizim efikas. Funksionoi edhe në rastin e Leksikonit të vendbanimeve, që është i pari në Kosovë dhe në gjithë hapësirën shqiptare dhe më gjerë. Projekti po realizohet me mjete modeste.