Tahiri, deputetëve: Votojeni Komisionin për Provimin e Jurisprudencës

Prishtinë | 02 Shk 2018 | 15:30 | Nga

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri u ka bërë ftesë deputetëve që ta votojnë Komisionin për Provimin e Jurisprudencës.

Më poshtë shkrimi i plotë:

Provimi i jurisprudencës është parakusht themelor për ushtrimin e profesionit të gjyqtarit, prokurorit apo avokatit dhe hapi më i rëndësishëm drejt ndërtimit të karrierës profesionale të një juristi.

Kuadrot e përgatitura profesionalisht, do t’i bashkohen gjyqësorit, prokurorisë, avokatisë dhe profesioneve të lira ligjore, për të ndihmuar Kosovën në ndërtimin dhe fuqizimin e kapaciteteve institucionale por edhe vet ngritjes dhe konsolidimit të kulturës së mirëfilltë juridike dhe profesionale në pajtim me standardet më të larta ndërkombëtare.

Mu për këtë jam përkushtuar në ngritjen e cilësisë në organizimin e provimit të jurisprudencës dhe rrjedhimisht, kam përcjellur në Qeveri propozimin për formimin e Komisionit i cili kësaj radhe, në përbërje të tij, ka figurat më eminente të sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Miratimi i propozimit për formimin e Komisionit tani mbetet të votohet nga deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të cilët edhe i ftojë publikisht të mbështesin përbërjen e propozuar dhe kredibilitetin profesional që karakterizon secilin anëtar të propozuar.

Unë besoj fuqishëm që pa humbur kohë, do të mund të organizojmë provimin e jurisprudencës për të gjithë ata që duan të kontribuojnë në transformimin e mëtejmë të sistemit të drejtësisë dhe për të mbështetur edhe drejtpërdrejtë konsolidimin e Shtetit të së Drejtës.

Të ngjashme