Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka thënë se partitë politike duhet të arrijnë konsensusin për fillimin e punës për reformën zgjedhore. Në një konferencë për shtyp, Tahiri tha se e gjithë platforma e propozuar nga Kadri Veseli, me 5 çështje të interesit nacional, duhet të ecë përpara. Gjithsesi ai ka shtuar se një prej atyre që mund të konkretizohet është reforma zgjedhore.
“Sa i përket vetë Reformës Zgjedhore, në esencën e saj, Partia Demokratike e Kosovës e sheh si kusht themelor dhe të domosdoshëm, garantimin e një procesi zgjedhor të drejtë, korrekt e të paanshëm. Ne të gjithë marrim pjesë në jetën politike ku pushteti sovran i popullit legjitimon me votë përfaqësuesit që bartin atë pushtet legjitim, në mënyrë që të realizojnë aspiratat dhe kushtet e nevojshme për një zhvillim të qëndrueshëm të shoqërisë”.
“Prandaj, ne e konsiderojmë jashtëzakonisht të rëndësishme që rezultati i kësaj reforme, të jetë një sistem elektoral që siguron qytetarët me të drejtë vote të vendit tonë, se vullneti i tyre ka shkuar në vend”, ka thënë ai, derisa ka shtuar se Partia Demokratike e Kosovës, edhe në rrafshin politik, edhe në rrafshin profesional përmes ekspertëve të saj, është e gatshme për të dhënë kontributin maksimal, që një proces i tillë të realizohet sa më parë”.
Tahiri deklaroi se pjesë e kësaj Reforme duhet të jenë jo vetëm subjektet politike, por edhe institucionet tjera dhe shoqëria civile, jo vetëm për të përmbushur kriterin e gjithë përfshirjes por për t’i dhënë hapësirë të mirëfilltë një sektori debatues që në fund të ketë një reformë zgjedhore që është tërësisht funksionale.