FIQ përmbyll projektin “CSos Going Digital”, vlerësohet roli i OJQ-ve në promovimin e agjendës së gjelbër dhe digjitale

Prishtinë | 19 Maj 2022 | 12:01 | Nga Leonora Kolukaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ) ka mbajtur konferencën përmbyllëse finale të projektit “CSos Going Digital”, raporton Ekonomia Online.

Dajana Berisha, drejtore Ekzekutive e FIQ, ka prezantuar rezultatet dhe të arriturat e projektit, objektivi kryesor i të cilit ka qenë rritja e kapaciteteve të OJQ-ve lokale dhe medieve në agjendën digjitale.

“FIQ për shumë e shumë vite ka punuar si organizatë individuale e me të tjera, në promovimin e agjendës së gjelbër dhe digjitale. Tash në kontekstin global ku krejt bota po fokusohet, me i kemi paraprirë përfshirësjes së plotë në këto dy fusha, me projekte që nuk e kanë pasë një vlerë financiare kush e di sa, po që impakti ka qenë shumë i madh”, tha Berisha.

“Zgjidhja më e mirë ishte të fokusoheshin te digjitalizimi. Çfarë mund të bëjmë për të dizajnuar e për të rritur kapacitetet e OJQ lokale në Kosovë që nuk kanë mundësi të mëdha financiare për të digjitalizuar kapacitetet e tyre?”

“Projekti i dytë i FIQ, që e kemi hartuar menjëherë pas Covidit, objektivi kryesor ka qenë rritja e kapaciteteve të OJQ-ve lokale dhe medieve. Duke i fuqizuar ata në këtë kontekst për t’u bërë partnerë të fuqishëm në agjendën digjitale”, tha Berisha.

“Në Kosovë interneti përdoret dy herë më shumë se në vendet anëtare të BE-së. Në anën tjetër për shkak të izolimit fizik të Kosovës, shumica e përdorueseve të rrjeteve sociale, informohen për lajme prej rrjeteve sociale”.

“Duke e ditur që njerëzit informohen për lajme prej rrjeteve sociale kjo përbën një problem të madh, sepse asnjë prej neve nuk hyn seriozisht të hulumtojë për burimet, sa është prezentë propaganda, dezinformimi. Sa influencë negative kanë lajmet negative në vend? Janë këto rrjete sociale që formësojne mendimin publik të popullsisë së Kosovës për ngjarje apo për çështje që kanë të bëjnë me të ardhmen e rinisë”, theksoi drejtoresha e FIQ-it.

 “Disa prej aktivitete kryesore që janë zbatua janë info sesione të mëdha, një fushatë e madhe në social media, sa paku 20 OJQ kanë qenë pjesë e akademisë digjitale. Në bazë të statistikave kemi pasur rreth 115 aplikime, 20 organizata me nga dy anëtar të tyre kanë pas mundësi të ndjekin trajnimet online dhe 20 organizata kanë përfituar mentorime”.

 “FIQ në kuadër të këtij projekti ka institucionalizuar bashkëpunimin edhe me institucionet publik të Kosovës”.

Drejtori i Departamentit për OJQ, në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Bajram Kosumi, përgëzoi FIQ-in për bashkëpunimin korrekt dhe përmbylljen me sukses të këtij projekti.

“Ne si Departament për OJQ, aplikimin e digjitalizimit e kemi filluar në janar 2017. Prej atëherë ne aplikojmë në sistemin online. E vërteta është se përdorimi i digjitalizmit në Kosovë akoma është nën nivelin e duhur”, tha ai.

Sipas Kosumit, pandemia ka treguar që përdorimi i digjitalizimit është i domosdoshëm. “Asnjëherë nuk janë ndërprerë kërkesat gjatë pandemisë për OJQ-të. Të gjitha kërkesat i kemi shqyrtuar në afat me kohë, falë përdorimit të sistemi online… OJQ në Kosovë kanë nevojë për ngritje të kapaciteteve në përdorimin dhe aplikimin e digjitalizimit”.

Kosumi kërkoi që ky aktivitet të thellohet e të avancohet edhe më tutje pasi konsideron se ka nevojë.

Njëra nga trajnerët gjatë projektit, Shpresa Berisha-Metaj, tha se kanë ofruar disa trajnime si për komunikimin organizativ, transformimin digjital, si dhe kontabilitet.

“Modulet kanë përfshirë pjesëmarrje të shoqërisë civile. Trajnimet kryesisht kanë qenë dyditore dhe janë mbajtur online për shkak të pandemisë. Ka pasur nivel të lartë të pjesëmarrësve të trajnimeve”, tha ajo.

Arjana Xhuli nga “Open Data Kosova ”, tha se ky është një projekt madhor që në mbarë rajonin po arrin rezultate të rëndësishme në aspektin digjital.

“Kanë qenë 18 muaj që FIQ ka qenë i angazhuar. Në projekt kanë 6 organizata partnere, 5 prej tyre janë prej rajonit të Ballkanit Perëndimor. Kosova është një prej shteteve implementuese. Janë edhe shtetet fqinjë Serbia, Mali i Zi, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, si dhe partneri shembull në aspektin e digjitalizimit është një partner nga Estonia”.

“Deri tash kemi 41 organizata të shoqërisë civile që janë pjesë e rrjetit. Pjesë e projektit janë edhe bashkëpunimet me institucionet publike”.

“Gjithçka lidhet me agjendën digjitale. Neve na intereson ndërlidhja e shoqërisë civile edhe qytetarët për të ofruar shërbime sa më të mira nga institucionet e vendit”.

“Ne po mundohemi të japim kontributin tonë, përfshirë promovimin e shumë iniciativave”.

 Në fund u ndanë certifikata për organizatat përfituese të projektit “CSOs Going Digital”, i cili u implementua nga FIQ, si pjesë e projektit rajonal “Increasing Civic Engagement in the Digital Agenda”.

Të ngjashme