Termokosi ka bërë kërkesë për uljen e çmimit, pret përgjigjen e ZRrE-së

Prishtinë | 24 Sht 2016 | 09:35 | Nga Resmije Ballazhi

Ngrohtorja e qytetit “Termokos” nuk do t’i ngrohë të gjitha lagjet e Prishtinës nga 15 tetori, kur zyrtarisht nis sezoni i ngrohjes. Një pjesë e vogël e lagjeve të Prishtinës, ngrohjen do të mund ta shfrytëzojnë nga fundi i muajit, pasi që punimet në një segment në kryeqytet po marrin kohë.

Lajm i mirë për prishtinasit është se çmimi i ngrohjes për metër katror mund të ulet.

Kështu ka bërë të ditur kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes “Termokos”, Naser Canolli, gjatë një interviste për Agjencinë e Lajmeve Ekonomia Online.

“Ne jemi duke i bërë të gjitha pregatitjet që sezoni të fillojë me 15 tetor. Përgatitjet janë duke shkuar në drejtim të duhur, mund të them që pjesa dërmuese e Prishtinës do të ngrohet me 15 tetor, por ka mundësi që një pjesë e vogël e një segmenti të lagjes së Prishtinës do të mbetet deri ka fundi i tetorit, diku 26-27 do të fillojë edhe ajo pjesë për t’u ngrohur, sepse punimet në një segment do të na marrin kohë”, deklaroi ai.

Sa i përket çmimit të ngrohjes, sipas tij, Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), është ajo që ka mundësi të vendos.

“Ka mundësi që ZRrE-ja të vendosë me një zbritje simbolike të cmimit, nuk varet prej neve, sepse ne i kemi dërguar ato të gjitha që i kanë kërkuar, por është e drejtë ekskluzive kompetencë e ZRrE-së. Varësisht qysh të vendosë Zyra e Rregullatorit ne jemi të gatshëm të implementojmë dhe ta zbatojmë atë vendim”, shprehet Canolli.

Gjatë intervistës, kryeshefi ka folur edhe rreth faljes së borxheve për të cilën theksoi se konsumatorëve iu është falur një shumë prej 2.3 milionë euro, mirëpo ai apelon tek qytetarët që ta shfrytëzojnë edhe gjashtë mujorin shtesë për falje të borxheve.

INTERVISTA E PLOTË

EO: Si po shkojnë punimet për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes në kryeqytet? Na jepni më shumë detaje cilat lagje të reja pritet të kenë ngrohje nga “Termokosi” sivjet?

Canolli: Sa i përket zgjerimit të rrjetit ne, tash jemi në fazën e rehabilitimit të rrjetit. E kemi projektin që e kemi filluar faza-faza, do të thotë projekti i parë ka të bëjë me përmisimin e disa defekteve të cilat kanë ndodhur në kohën e kogjenerimit në periudhën e KEK-ut. Ato punime janë në sajimin e defekteve dhe po shkojnë shumë mirë… Gypat që vijnë nga KEK-u në “Termokos” të jenë të sigurt dhe jo të kenë lagështi, apo uji atmosferik të depërtojë jashtë gypave. Jemi në riparimin e nënstacioneve, po bëhet heqja e nënstacioneve të vjetra dhe të vendosën të rejat që kanë të bëjnë me stabilimete siç janë: valvulat, pompat e tjerë… Deri më 15 tetor do të jenë të gatshme. Në rehabilitimin e rrjetit, nëpër pjesë të qytetit po zhvendosen gypat e vjetër për t’u vendosur të rinjtë. Gypat e rinj janë diku 10 km gjatësi dhe këta gypa janë shumë më cilësor, e mbajnë nxehtësinë dhe ndikojnë në ruajtjen e energjisë termike, sepse kemi pasur humbje në gypat e vjetër…

EO: Dihet që ka shumë kërkesa për lidhje nga lagje të reja. Kah do të zgjerohet rrjeti në kryeqytet në vitet në vazhdim? Sa banesa ka kapacitet t’i furnizojë “Termokosi”? A keni buxhet apo do të ndihmoheni nga niveli qendror për këtë investim?

Canolli: Zgjerimi ka qenë në raste të veçanta, sepse zgjerimi i plotë i rrjetit të “Termokosit” dhe futjen në sistem të konsumatorëve të rinj do të fillon në vitin e ardhshëm. Këtë vit kemi bërë zgjerimin vetëm nëpër disa institucione të cilat i kemi kyçur në rrejt, sikurse Ministria e Punëve të Jashtme, një pjesë e Ministrisë së Punëve të Brendshme, disa institucione të tjera ku është edhe ProCredit Banka. Në projektin e radhës të cilin jemi në bashkëpunim me Komisionin Evropian, projekti do të jetë në zgjerimin e rrjetit dhe jemi në fazën finale. Besoj që brenda këtij viti do të kryhen të gjitha procedurat për dhënien e një tenderi të një kompanie të caktuar që merret me zgjerimin e rrethit. Nga maji i vitit 2017 do të fillojë zgjerimi i rrjetit. Zgjerimi i rrjetit nënkupton kyçja e lagjeve periferike të Prishtinës, sikurse “Mati I”, pastaj do të kalojmë edhe nga lagjja “Kalabria” dhe disa ndërtesa të cilat janë shumë të vjetra, sikurse lagjja e “Ulpianës” në qendër në “Pejton” etj… Momentalisht të kyçur në sistemin e “Termokosit” i kemi objekte afariste diku rreth 12 mijë e 500 objekte kurse, lokale afariste janë diku 1 500, që totali nënkupton diku 14 mijë objekte. Kapaciteti aktual të cilin na jep KEK-u për termoenergji, është 140 MGË dhe momentalisht ne i shfrytëzojmë rreth 98-100 MGË…

EO: Zyrtarisht sezoni i ngrohjes nis më 15 tetor. Por, nëse ka nevojë a mund të ndryshojë kjo datë? A jeni ju të gatshëm?

Canolli: Ne jemi duke i bërë të gjitha përgatitjet që sezoni të fillojë me 15 tetor. Përgatitjet janë duke shkuar në drejtim të duhur mund të them që pjesa dërrmuese e Prishtinës do të ngrohet nga 15 tetori, por ka mundësi që një pjesë e vogël do të mbetet deri ka fundi i tetorit, diku 26-27 do të fillojë edhe ajo pjesë me ngrohje, sepse punimet në një segment do të na marrin kohë. Por, kjo është edhe pasojë e asaj se fillimi i punimeve ka qenë pak me vonesë, ka qenë pak pengese edhe marrja e lejes së komunës në një periudhë një mujore me vonesë dhe ajo ka ndikuar që ne ta shtyjmë nga sezoni i vjeshtës.

EO: Sa është çmimi aktualisht për metër katror? A priten ndryshime të çmimeve? Ka pasur “propozime” që të ulet çmimi pasi tash shpenzimet janë më të vogla?

Canolli: Çmimi i ngrohjes për metër katror për objekte afariste aktualisht është 1 euro me TVSh, kurse për objekte banesore është 94 cent me TVSh. Ne i kemi dërguar në ZRrE propozimet tona dhe duke arsyetuar komplet me obligime që i kemi, shpenzimet, pastaj kemi mbetur edhe si obligime nga e kaluara e kemi edhe një kredi të më hershme nga Banka Gjermane në vlerë prej 1 milion euro brenda vitit, etj, dhe i kemi bërë ato arsyetimet tona dhe ka mundësi që ZRrE të vendosë me një zbritje simbolike të çmimit. Kjo nuk varet nga ne, sepse ne i kemi dërguar ato të gjitha që i kanë kërkuar, por është e drejtë ekskluzive kompetencë e ZRrE-së. Varësisht qysh të vendosë Zyra e Rregullatorit ne jemi të gatshëm t’i impelmentojmë dhe ta zbatojmë atë.

EO: Sa qytetarë kanë aplikuar për faljen e borxheve dhe sa është vlera e borxheve të falura? Pak para përfundimit të afatit keni bërë thirrje që të paraqiten qytetarët, pasi shumë prej tyre nuk janë paraqitur? A është mungesë e mosinformimit, apo kushtet për lidhje të kontratave janë jo shumë të favorshme?

Canolli: Po nisem nga çështja e fundit, qytetarët kanë qenë të informuar përmes mjeteve të informimit. Shumica e qytetarëve kanë qenë të informuar edhe ne e kemi sensibilizuar përmes portalit tonë dhe mediave që afati ka qenë deri më 2 shtator. Një pjesë e madhe iu ka përgjigjur, diku rreth 3 100 konsumatorë janë hyrë në program dhe iu është falë borxhi nga e kaluara, kurse borxhi i falur në vlerë monetare ka qenë 2.3 milionë euro. Ka ndikuar pozitivisht edhe në rritjen e të hyrave. Unë ju bëj apel konsumatorëve pasi që “Termokosi” po punon me kapacitete të plota, dhe vitin e kaluar ka qenë me kapacitete të plota, dhe kanë pasur ngrohje të mjaftueshme… dhe pasi që jemi në fillim të sezonit çdo qytetar të merret me stabilimetet e veta të ngrohjes, radiatorët, etj, t’i bëjë ndalesat që t’i rregullojë në mënyrë që dimrin ta pret i qetë dhe i ngrohtë. Me projektin e rehabilitimit do të kenë ngrohje edhe më cilësore. Ligji për faljen e borxheve me vendim të Ministrisë së Financave, ka afat shtesë për gjashtë muaj, ne e respektojmë atë ligj dhe i pres qytetarët t’i kryejnë obligimet e “Termokosit”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme