Thaçi: Marrëveshja me Serbinë është e domosdoshme për synimin tonë që të bëhemi pjesë e OKB-së

Prishtinë | 28 Qer 2018 | 17:36 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në konferencën për medie foli për takimin në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në kuadër të fazës së fundit të dialogut për normalizimin  e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.

Presidenti Thaçi tha se fillimi i fazës përfundimtare të dialogut me Serbinë do të sjellë rezultate pozitive për të dyja vendet, dhe do të çojë në njohje reciproke.

Ai tha synohet arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore me Serbinë.

“Në këtë fazë finale synojmë arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht e ndërkombëtarisht të obligueshme për normalizimin e marrëdhënieve të dy shteteve, ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore. Motiv për të dialoguar mbetet dëshira jonë që qytetarëve tanë t’u ndërtojmë paqe të qëndrueshme dhe të ardhme të sigurt evropiane”.

Sipas Thaçit, ky ishte vetëm takimi i parë dhe pritet që të ketë edhe takime të tjera në të cilat do të diskutohet substanca e marrëveshjes përfundimtare, raporton Ekonomia Online.

“Ky ishte vetëm takimi i parë fillestar dhe në javët dhe muajt e ardhshëm në takimet e tjera do të diskutohet substanca e marrëveshjes përfundimtare. Tani për tani inicialisht është folur vetëm për kornizën e marrëveshjes, asgjë më tepër. Presim ftesën e përfaqësueses së lartë Mogherini për takimin e ardhshëm që do të ndodhë shpejt”.

Presidenti tha se e mirëpret faktin që tërë spektri politik në Kosovë, shoqëria civile, mediat, partitë politike janë shprehur pro dialogut.

“Ftoj ekspertët, akademikët, shoqëritë civile dhe mediat që të bëhen pjesë e këtij diskutimi. Kjo do të sigurojë ekspertizë dhe përgatitje të duhur për tërë procesin. Jam i gatshëm që si president i Kosovës t’i adresohem në informimin dhe raportimin e kuvendit dhe qeverisë t’i informojë deputetët dhe qytetarët për dialogun”.

“Marrëveshja me Serbinë është e domosdoshme për synimin tonë që të bëhemi pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.  Në fund të procesit duhet të ndodhë njohja reciproke, përndryshe këto negociata do të ishin të pakuptimta”.

I pyetur se a e dobëson pozitën në dialog fakti që ai nuk ka përkrahjen e Kuvendit të Kosovës për dialog, ai tha se presidenti është i mandatuar nga kuvendi dhe se interesi i të gjithëve është njohja reciproke e të dyja vendeve.

“Presidenti i Kosovës është i zgjedhur nga kuvendi, kjo çështje nuk është individuale dhe personale, prandaj presidenti ka mandatin e plotë. Unë shpresoj që të gjithë janë të interesuar që të ketë njohje reciproke të të dyja vendeve. Vulën reciproke e jep kuvendi për të gjitha vendimet”.

Ai tha se beteja me Serbinë zhvillohet në tavolinën në Bruksel dhe jo nëpër studio televizive e debate duke shtuar se nuk ka kohë për debate të kota dhe se marrëveshja duhet të ndodhë shpejt.

“Ky konflikt i ngrirë mes Kosovës dhe Serbisë duhet të kalohet, përndryshe të dyja shtetet do të jenë të humbura”.

Thaçi komenton rizgjedhjen e Erdoganit dhe rritjen e pagave

Presidenti Thaçi tha se me rizgjedhjen e presidentit të Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, do të vazhdojnë në ndërtimin e marrëdhënieve të mira mes të dyja vendeve.

“Si president i vendit e kam uruar për zgjedhjen e presidentit të Turqisë, Taip Erdogan. Jemi zotuar për një vazhdim të bashkëpunimit mes Turqisë dhe Kosovës. Turqia është një vend strategjik dhe është ndër vendet e para që ka njohur Kosovën dhe do të vazhdojmë bashkëpunimin e mirë mes të dyja vendeve”.

Ndërkaq lidhur me vendimin për rritjen e pagave ai tha se e respekton vendimin e qeverisë, raporton EO.

“Unë nuk i komentoj ato vendime. Rrogën që e kam marrë si kryeministër e kam gjetë ashtu, edhe rrogën si president e kam gjetur të tillë. Unë kam marrë shumë vendime për rritje të pagave. Shoh që ka një opinion që duhet të krijohet një mirëqenie më e mirë për punëtorët shëndetësorë, policëve e shumë kategori të tjera. Besoj që do të procedohet shpejt Ligji për pagat dhe se do të nxjerret një vendim balancues”.


Të ngjashme