Tragjike: 35 vjeçari vrau ish-vjehrrin, plagosi ish-vjehrrën dhe rrëmbeu ish-gruan

Prishtinë | 24 Kor 2026 | 12:41 | Nga Ekonomia Online

Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur Shqipërinë në orët e para të mëngjesit të së premtes, kur një konflikt familjar dyshohet se përfundoi në vrasje, plagosje dhe rrëmbim, duke vënë në alarm autoritetet.

Sipas informacioneve paraprake, rreth orës 05:00, një 35-vjeçar dyshohet se vrau me armë zjarri ish-vjehrrin e tij, plagosi ish-vjehrrën dhe më pas mori peng ish-bashkëshorten, me të cilën u largua nga vendi i ngjarjes me automjet.

Pas disa orësh, 35-vjeçari e ka liruar ish-bashkëshorten, shtetasen R. Plaka, ndërsa vijojnë negociatat me policinë për dorëzimin e tij. Autori raportohet se është i rrethuar nga forcat policore.

Ndërkohë, të afërmit e viktimës kanë deklaruar për A2 CNN se 35-vjeçari ishte arrestuar edhe më herët nga Policia e Fierit, por ishte liruar më pas nga Prokuroria.

Sipas tyre, ai kishte kërcënuar më parë me armë zjarri ish-bashkëshorten dhe ngjarja e ndodhur sot ishte paralajmëruar për shkak të konflikteve të vazhdueshme.

Autoritetet shqiptare po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë.

Të ngjashme