Tre kandidatë të PAN-it ankohen në PZAP

Prishtinë | 30 Qer 2017 | 11:06 | Nga

Fatmir Xhelili, Selvije Halimi dhe Muharrem Nitaj janë tre kandidatët e koalicionit PDK-AAK-Nisma që janë ankuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe

Parashtresa (PZAP) në lidhje me rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 11 qershorit.

Sekretari i PZAP-së, Mul Desku tha se vetëm gjatë ditës së djeshme janë parashtruar tri ankesa nga ana e koalicionit PAN.

“Po kemi marrë tri ankesa gjatë ditës së djeshme. Ankesat janë nga ana e koalicionit PAN”, tha Desku.

Një nga kandidatët që është ankuar për rezultatet është Muharrem Nitaj i AAK-së.

Ai tha për KALLXO.com se e ka bërë një ankesë gjatë ditës së djeshme pasi ka vërejtur mospërputhje të të dhënave të vëzhguesve dhe asaj që ka dalë si rezultat përfundimtar.

Nitaj tha se ankesa ka të bëjë për 50 vota, për të cilat ai shtoi se i kanë shkuar një kandidati tjetër.
Në tabelën e rezultateve të publikuara dje nga KQZ, Muharrem Nitaj del të ketë fituar 8929 vota të cilat nuk i kanë mjaftuar për të marrë ulësen e deputetit në Kuvend.

“Po e kam bërë një ankese. Rastësisht duke krahasuar raportin e vëzhguesve te AAK-se dhe formularin e rezultateve të kandidatëve, kam vërejtur se vetëm në një klase, diku rreth 50 vota të mia i janë regjistruar një kandidati tjetër. Këtë e kam vërejtur, për këtë kam bërë ankesë”, tha Nitaj.
“Ç’është më e çuditshme, këtë gabim që më vonë u tha të ishte teknik, e kanë pranuar edhe vetë anëtarët e komisionit të këtij vendvotimi, për çfarë kanë shkruar edhe deklaratë”, shtoi ai.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) shpalli dje rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit.

Kandidatët për deputet dhe subjektet politike kanë të drejtë 24 orë që të bëjnë ankesë.

Afati i dorëzimit të ankesave në PZAP nga e kandidatëve përfundon sot rreth orës 14.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme