Tre ministrat e jashtëm të BE-së në Tiranë: Shqipëria gati të çelë negociatat në qershor, s’ka arsye për vonesa

Prishtinë | 23 Maj 2021 | 18:25 | Nga Ekonomia Online

Tre ministrat e Jashtëm të Austrisë, Sllovenisë dhe Çekisë ishin sot në Tiranë, ku u pritën nga homologia e tyre Olta Xhaçka dhe presidenti Ilir Meta.

Presidenti Meta vlerësoi mbështetjen e ministrave austriak, çek dhe slloven në progresin që Shqipëria ka bërë për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Ndërkohë që ministrja Xhaçka e vlerësoi vizitën e homologëve të saj si një tregues i mbështetjes së këtyre vendeve për Tiranën zyrtare.

Sakaq, ministri i Jashtëm i Austrisë, Alexander Schallenberg gjatë konferencës së përbashkët deklaroi se Shqipëria është gati për t’i nisur negociatat në qershor dhe se për një gjë të tillë nuk ka arsye për vonesa.

“Unë besoj se të gjithë e dimë dhe ndajmë të njëjtin këndvështrim se integrimi i plotë i të gjithë shteteve të Ballkanit Perëndimor është në interes të të gjithë Bashkimit Europian. Vetëm kur të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të bëhen anëtare me të drejta të plota në BE, do të kemi arritur vizionin e kontinentit pas Luftës së Dytë Botërore,” – u shpreh Schallenberg.

“Shqipëria ka bërë një rrugë të gjatë, ka ndërmarrë reforma mjaft të mëdha, ka bërë detyrat e saj dhe është e gatshme të çelë bisedimet për anëtarësim në qershor. Nuk ka arsye për vonesë të mëtejshme dhe ju sigurojmë që do të bëjmë maksimumin brenda Bashkimit Europian për t’u siguruar që këto bisedime për anëtarësim të hapen më së fundi,” – shtoi ministri.

Të ngjashme